Bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e tursitëve të huaj, nga vende të ndryshme të botës.
Në fillim të sezonit turistik të këtij viti, janë të shumtë turistët që kanë zgjedhur të njohin natyrën dhe historinë e vendit tonë.
Një tjetër charter me turistë është ulur në Aeroportin e Rinasit. Bëhet fjalë për charterin e parë me turistë nga Kievi, të cilët u pritën nga përfaqësues të autoriteteve turistike që kishin organizuar një ceremoni tradicionale.
Numri i turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë sa vjen dhe rritet, ku vetëm ditët e para të qershorit në Rinas kanë mbërritur charterat e parë nga Izraeli dhe Kopenhageni.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka deklaruar se gjatë gjithë sezonit turistik do të ulen në Rinas rreth 300 charter, të cilët do të sjellin turistë jo vetëm nga Izraeli, Skandinavia, Polonia, Çekia, por edhe nga Anglia e Gjermania.
Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria vazhdon të tërheqë vëmendjen dhe kureshtjen e shumë turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. Në stinën e verës kulmon edhe interesi i turistëve dhe vizitorëve të huaj, të cilët shprehin interes për turizmin bregdetar, malor, liqenor, historik dhe kulturor të Shqipërisë.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor. /atsh