Argjentina është skandalizuar nga një lajm i dalë së fundmi nga mediet e këtij shteti. Kombëtarja amerikano-jugore u përball me akuza të forta në prag të nisjes së turneut të Kupës së Botës, pasi gazetari lokal Gabriel Anello, ka publikuar rastin për mediet argjentinase.
Ai flet me siguri të plotë për çështjen dhe akuzat e tij prekin dhe Federatën e futbollit të këtij shteti, pasi sipas gazetarit, po mundohet t’i mbyllë gojën kuzhinierës së abuzuar duke i ofruar shifra të mëdha. Sipas asaj që raportohet, trajneri Jorge Sampaoli, ka ngacmuar seksualisht punonjësen.
“Në Federatën e Fubtollit të Argjentinës ka ndodhur një incident i pahijshëm. Sampaoli ka ngacmuar seksualisht një kuzhiniere që punon aty dhe Federata po mundohet me çdo kusht të fshehë gjurmët e këtij incidenti. Sitata është shumë e rrezikshme për kombëtaren dhe Sampaoli-n, pasi ka të bëjë me drejtësinë”, – u shpreh gazetari. Kjo është një akuzë mjaft e fortë dhe pritet me interes përgjigjja e trajnerit.