Loading...

Tradita unike në botë/Ja si gratë e Gjirokastrës i kanë dylbitë “në pajë” për të përgjuar

Për të shkuar në kullën e Zekatëve, duhet të kaloje në oborrin e një tjetër shtëpie, të po të njëjtit mbiemër.
Në qendër të oborrit ishte një tavolinë ku kalonin ditën, siç dukej, Meliha Zeka me të shoqin.

Kishin ca vite që i kishin kaluar të dy të ’80-at, ndaj të ngjisnin e zbrisnin tatëpjetën që të çonte për në shtëpinë e tyre nuk mundeshin më. Mjaftoheshin me pamjen që ofronte ballkoni, që në të vërtetë ishte nga më të mirat në qytet.

Edhe me sy të lirë mund të shihje njëmijë rrugicat ndarëse të lagjeve, sikurse, po njësoj, shihje edhe muret e kalasë në të djathtë të pamjes. Që të mos ishte duke u fjalosur (jo në kuptimin grindur) me të shoqin, ishte gjë e pritshme. Vetëm të dy nuk kanë më ç’biseda të bëjnë. Por që t’i kishte kthyer shpinën, sikur të mos ishte aty, e të vazhdonte jetën e saj me dylbitë në dorë, kjo pamje, po, ishte nga ato të Kadaresë.

Mungonin vetëm gratë e tjera rreth e përqark për të plotësuar kornizën. Ndoshta pse dukej burrë ca i rëndë, o pse ishin informacione të konsumuara ato të thënat nga e shoqja tashmë, i shoqi rrinte ftohtë ndaj çdo dukurie që po i ndodhte në ballkonin e shtëpisë. Nuk pranonte të fliste për asgjë.

“Ja, fol me Melihanë, thosh, asaj ia pe dylbitë, jo mua”. Jo se ai s’i përdorte fare, por kish vite që ngjarje të mëdha, siç ka qenë ardhja për vizitë e Enver Hoxhës në vend të vet, nuk ndodhnin më. Melihaja ishte më përparimtare, pranonte të gjitha pamjet që i servireshin. Po të provoje të shihje me dylbi pikërisht nga vendi ku kishte vendosur pak skiç karrigen, në një cep të ballkonit, nuk ngelte e krisur guri pa parë. Shihje deri përtej mureve të kalasë…

Në fillim, sa pa u çliruar ca biseda, Melihaja tha se dylbitë ua kishin falur, sikur të donte të shpërfillte ekzistencën e tyre. Por, në fakt, nga njëra fjali te tjetra, zbuloi se pa to nuk do të jetohej njësoj. Sado që intensiteti i vizitave të grave të lagjes për të komentuar (fundja dhe lezeti i dylbive) nuk është më ai i mëparshmi.

“Po ja, kot i përdor, meqë na i dhanë, për të parë se kush hyn e kush del!”. Me “të dhënë” Melihaja kishte parasysh “rinovimin”, sepse menjëherë më pas pranoi që gratë në Gjirokastër i kanë përdorur gjithëherët dylbitë. Edhe ndonjëra që mund të mos kishte, i gëzohej “syve të shoqes”.

“Dikur, i përdornim për të parë këta të qeverisë, kush vinte, nga shkonte. Kur ndërroheshin, kishim material për të folur. Po do s’do ti, te kalojnë ata, të zë syri edhe gjëra të tjera. Kush vajti te njëri e kush u takua me tjetrin”. Melihaja, sot 84 vjeçe, ishte “lerë e rritur” në Gjirokastër. Pra, traditat e qytetit i njeh mirë. Po mbase pse e di se thelbi i dylbive, në rastin e grave të paktën, është përgojimi, nuk tregon gjatë. Puna si prestare në veshmbathje, ndërmarrje grash, ia ka lehtësuar jetën, edhe në i shpëtonte gjë pa parë asaj, ishin shoqet e punës të nesërmen aty. Sado që, Melihaja ishte për t’u pasur zili.

Pozicioni strategjik i shtëpisë së saj ofronte “materiale” më shumë sesa për të tjerat. Këtë, Melihaja e pohoi vetëm duke buzëqeshur, se për të thënë, nuk na tregoi ndonjë ngjarje konkrete. Mbase ngaqë nuk donte të merrej me punët e të tjerëve…

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com