Loading...

Thirrja e mjekëve: Fëmijëve shqiptarë po u shtrembërohen nofullat

Ushqimet e përpunuara dhe mënyra sesi po i ushqejmë fëmijët po u dëmton jo vetëm dhëmbët, por ka nisur t’u krijojë atyre shtrembërime të nofullave.

Mjekët ortodontë thonë se ka një numër të madh fëmijësh që paraqiten për të drejtuar dhëmbët, e janë të rrallë ata që kanë strukturën e dhëmbëve perfekt.

“Pothuajse të gjithë pacientët që vijnë për konsultë kanë nevojë për trajtim ortodontik. Vetëm njërit në 20 pacientë mundet t’i thuash që ka strukturën dhe dhëmbët perfekte, e s’ka nevojë për trajtim”, thotë Majlinda Telharaj, mjeke ortodonte.

Mjekët thonë se, kujdesi që fëmijët të kenë kafshim normal duhet të nisë që kur janë bebe, duke i mësuar ata të kafshojnë ushqime të forta, e kjo duhet të vazhdojë. Sugjerohet që fëmija është më mirë të hajë një frut, sesa të pijë lëngun e tij.

“Ne faktikisht te prindërit vërejmë që nuk kanë asnjë lloj problemi, i kanë dhëmbët perfekt. I bie që të mos përdorim lëngjet e tyre, por t’i konsumojmë duke i kafshuar frutat. Edhe ato fruta që konsumojmë janë shumë të buta, për arsye se siç dihet përdoren shumë pesticide. Nuk janë më si më parë”, thotë më tej mjekja Majlinda Telharaj.

Kjo ka bërë që fëmijët, të cilët kanë problemet me dhëmbët, të drejtohen për ortodonci, ose siç thuhet ndryshe të vendosin tela për drejtimin e tyre dhe rregullimin e strukturës.

“Duke mos i përdorur nofullat, organizmi është i zgjuar dhe fillon t’i reduktojë. Madhësia e tyre bëhet më e vogël, ndërkohë që perimetri i dhëmbëve ngelet po ai, sepse transmetohet gjenetikisht, ndaj dhe zhvillohet një moskoordinim mes dhëmbëve dhe nofullave. Dhëmbët do të mundohen të dalin dhe në momentin që ato dalin nuk janë në drejtimin e duhur. Kafshimi dhe kyçi janë aq delikatë, saqë edhe një dhëmb sikur të jetë jo në vendin e duhur, ai krijon problematikë të drejtpërdrejtë te nofulla.

Nëse krijon një parakontakt, fillon të devijojë, pasi organizmi kërkon të gjejë mekanizma për zgjidhjen e problemit. Kjo ka mundësi të çojë edhe në devijime të nofullave, që janë më problematike për një zhvillim joestetik. Ndodh t’i dalë një nofull e zhvilluar përpara, një më mbrapa”, shpjegon Majlinda Telharaj.

Por më tepër sesa estetike, pasojat janë shëndetësore. Mjekët shpjegojnë se deformimi i nofullës në kafshim jo të rregullt dhe bën që dhëmbët të nisin të bien në moshë shumë të re.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com