Të vendoset Drejtësia-pa dhe Bota të përmbyset!
Arben Duka
Më gjëmon këmbanë në kokë,
që kur gdhin e gjersa ngryset:
“Të vendoset Drejtësia,
pa dhe Bota të përmbyset!”
Nga unë e keni dëgjuar,
dhe më parë këtë refren,
sikur veç këtë të shkruaj,
dhe për gjithë jetën ja vlen!.
Është Alfa dhe Omega,
kryefjala-drejtësi,
po nuk triumfoi Ajo,
nuk mbaron kjo histori!
Në një luftë të pasosur,
është gjakosur njerëzia,
po akoma s’është vendosur,
as paqja-as drejtësia!.
Në shekuj të pambaruar,
historia keq na talli,
kur thotë-se na ka sunduar,
dymijë e ca vite djalli!.
Gjysmë shekull që kam lindur,
nuk kam parë me sy një dreq,
ndaj mendoj e jam i bindur,
dreqi është njeriu i keq!.
Dreqi është njeriu i keq,
që ka frenat dhe timonin,
djallin për ta krahasuar,
poetët shpikën Demonin!
Poetët shpikën Demonin,
dhe demoni vepron prore,
si simboli i së keqes,
me fuqi mbinjerëzore!
Poetët shpikën Demonin,
dhe s’e shpikën kot së koti,
se akoma nuk po vijnë,
shekujt që do sundojë Zoti!
Se akoma nuk është lidhur,
me zinxhirë babëzia,
themeli i çdo mynxyre,
që ka shkuar njerëzia!
-Pyes veten i menduar:
“Ku është tani Zoti ynë,
pse s’na heq nga këto duar,
pse nuk po sjell drejtësinë?!”
Prit e prit sa shumë u lodhëm,
në besim neve të zinjtë,
dhe u vramë dhe u vodhëm,
natë e ditë nga të këqijtë!
Prit e prit sa shumë u lodhëm,
po lufta nuk ka mbaruar,
dhe u vramë-dhe u vodhëm,
po kurrë s’jemi dorëzuar!