Një 42-vjeçar nga Skrapari me inicialet V.Sh është autori i ngacmimit seksual dhe përndjekjes së një dentisteje me inicialet D.B., Ndaj tij prokurori Ervin Karanxha ka ngritur akuzën e “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”.
Nëpërmjet një sms-je ai ka ngacmuar seksualisht dentisten. Burime pranë prokurorisë thanë se nga verifikimi i telefonit të të pandehurit,ka rezultuar se ai ka ngacmuar seksualisht dhe pesë femra të tjera njëkohësisht, por për shkak se ato nuk kanë depozituar kallëzim penal në prokurori, hetimi për këto raste nuk është kryer.
Shtetasja D.B ka sqaruar në prokurori se: ”…numrin e telefonit që disponoj e përdor dhe për të patur kontakte me pacientët pasi jam me profesion Mjeke-Stomatologe…”.
Prokuroria e Tiranës thotë se në datën 11 dhjetor 2017 në orën 11:40 në celularin e saj i ka shkuar një sms me tekst: “…mua këtë numër ma ka dhënë një person që të ka ty në dorë se të ka parë dhe filmuar me dashnorin…”.
Por dentistja i ka kthyer sms duke i bërë me dije se keni ngatëruar numër dhe mos më shqetëso më. Por në të njëjtën ditë është dërguar sërisht një sms me tekst: “…të kam ty lakuriq dhe zogun tënd duke u puthur me të, a do fotografinë apo videon…”.
Pas kësaj sms dentistja ka vënë në dijeni vëllain e saj shtetasin E.K, si dhe bashkëshortin e saj N.B. Ky I fundit ka telefonuar dërguesin e sms-ve V.SH, por ai nuk i është përgjigjur, por i ka dërguar sërisht kallëzueses sms me tekst: “…po deshe më shkruaj, të tjerë mo mi bije, se do ta bëj publike, po më shqetësuan të tjerët…”.
Pas kësaj dentistja i është drejtuar policisë ku ka bërë kallëzim duke kërkuar ndjekje penale për personat që e shqetësonin në telefon. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se V.SH, ndodhet me banim në Tiranë, në zonën e Astirit. Pas gjurmimit të tij, u konstatua se numri i përkiste bashkëshortes së tij.
Gruaja e të pandehurit ka pohuar në prokurori se dentisten e njeh, pasi aty ka çuar disa herë vajzën e saj për të rregulluar dhëmbët. Por pas identifikimit, V.SH është marrë në pyetje, duke pretenduar se nuk është ai autori i dërgimit të sms-ve me tekst ngacmues.
Sipas dëshmisë së tij dentisten D.B, e njeh pasi ai vetë ka shkuar për të rregulluar dhëmbët. Kaq ka mjaftuar që prokuroria të bindet se autor i këtij ngacmimi seksual është 42-vjeçari nga Skrapari V.Sh./Shqiptarja.com