Spitalit Amerikan nuk i mjaftuan 15 mijë m2, rrëmbeu ambientet të tjera të Spitalit Ushtarak, prokuroria hesht për shkeljen e kontratës në dëm të pronës publike
Spitali Amerikan është një instrument i rrezikshëm interesash të errëta, i cili ka zaptuar prona dhe ambiente publike, në shkelje të kontratave, ka futur duart në buxhetin e shtetit si dhe ka kapur zyrtarë të të gjitha qeverive, për interesat e veta financiare. Një vit pasi kishte ardhur në pushtet, Sali Berisha, në tetor të vitit 2006, vendosi t’i japë Spitalit Amerikan një pjesë të ambienteve dhe sipërfaqes së tokës së Spitalit publik Ushtarak, me çmim qesharak.
Me vendim nr. 729 datë 18.10.2006, Berisha i dha Spitalit Amerikan disa mjedise dhe truall të Spitalit Ushtarak me sipërfaqe 15 638 m2. Këto mjedise Spitali Amerikan, sipas vendimit, do t’i përdore për interesat e veta private, deri në vitin 2026. Mjediset iu dhanë pa konkurrim. Në këtë truall Spitali Amerikan ndërtoi edhe një godinë. Kjo është njëra anë e historisë, ku shteti favorizon pa garë një subjekt privat, në dëm të interesit publik.
Historia e shkeljeve dhe aferave vijon pas lidhjes së kontratës. Spitali Amerikan zgjeron territorin e tij në Spitalin Ushtarak jashtë sipërfaqes prej 15 638 m2 dhe bën edhe ndërtime të tjera pa leje. Këto shkelje tolerohen nga qeveria e Sali Berishës, por me pas edhe nga qeveria e Edi Ramës, pasi Spitali Amerikan kishte lidhje me të dy pushtetet.
Në një raport të posaçëm, Kontrolli i Lartë i Shtetit, konstaton se Spitali Amerikan kishte pushtuar ambiente të tjera të Spitalit Ushtarak jashtë kontratës si dhe kishte bëtë ndërtime të paligjshme, përfshirë edhe një urë. Në raport thuhet: “Nga auditimi konstatohet se, nga SUT janë kryer matje të sipërfaqeve, të cilat përdoren nga “S…… A”, referuar kontratës së qirasë së lidhur më datë 28.08.2013, duke konkluduar që ky subjekt përdor ambiente brenda spitalit gjithsej 1963.7 m2 , nga të cilat vetëm 496 m2 i janë dhënë me qira.
Nga auditimi konstatohet se, subjekti “S.. A” përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2 , të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leje ndërtimore apo kontratë. Po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2 , për të cilën nuk ka dokumente në SUT, çka konfirmohet dhe nga kartela e pasurisë bashkëlidhur Certifikatës së pasurisë së 6 datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo “ndërtime të paligjshme”. Për këto ambiente ky subjekt nuk paguan qira”.
Për këtë abuzim flagrant përgjegjës janë përfaqësuesit e Spitalit Amerikan, ministrat përkatës të Shëndetësisë dhe ministrat përkatës të Ekonomisë. Pavarësisht vjedhjes flagrante, duke përdorur pronat dhe ambientet publike, prokuroria nuk ka çuar asnjë zyrtarë të shtetit dhe as përfaqësuesit e Spitalit Amerikan para gjykatës.
Për të çuar përgjegjësit e kësaj afere para drëjtësisë, prokuroria mjafton të administrojë raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të shqyrtojë kontratën e Spitalit Amerikan me Ministrinë e Ekonomisë si dhe zbatimin e kontratës. Gjithashtu, mjafton të marrë në pyetje mjekët e Spitalit Ushtarak për zaptimin e ambienteve nga Spitali Amerikan jashtë kontratës së lidhur me Ministrinë e Ekonomisë./Pamfleti