Loading...

Skandalet me dosjen e Azem Hajdarit/ Zbardhet sherri për autopsinë, si u ndalua Skënder Rexha të futej në morg

Vrasja e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari është rikthyer në vëmendje ditët e fundit, që pas ekstradimit të Izet Haxhisë. Kjo ngjarje është e veshur me hije dyshimi, ndërsa Izet Haxhia pretendon që me rihapjen e dosjes të dalin në pah të vërtetat e vrasjes së shekullit dhe të dënohen autorët kryesorë.

Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla pak ditë më parë mori në dorë të gjithë dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Dosjen voluminoze prej 702 faqesh, avokati e cilësoi si skandaloze gjatë seancës së fundit gjyqësore sepse sipas tij, ka rrjedhje provash.

Gazeta “SOT” raportoi dje se një ndër provat që nuk është më pjesë e dosjes është ditari i ministrit të Rendit të asaj kohe, Perikli Teta, ku mendohet se ka informacione të dobishme për të zbardhur të vërtetën e vrasjes. Por, gazeta ka arritur të sigurojë të tjera detaje nga dosja hetimore dhe vrasja e Azem Hajdarit. Sipas burimeve, në momentin që ka ndodhur atentati ndaj ish-deputetit të PD, dëshmitarët kyç të atij momenti, midis të cilëve edhe Astrit Mulo, nuk janë marrë në çast në pyetje, por u është lënë hapësirë që të largohen edhe jashtë vendit. Një lëvizje e tillë të bën të dyshosh se ka patur ndërhyrje nga politika, duke i larguar dëshmitarët kryesorë të atentatit nga drejtësia dhe mbase duke mbuluar fakte të rëndësishme.

Sherri për autopsinë

Një tjetër detaj që ka arritur të mësojë gazeta dhe që të lë të mendosh se duart e politikës sërish kanë ndërhyrë në këtë ngjarje për të fshehur informacione të rëndësishme që mund t’i jepnin një drejtim tjetër procesit hetimor është edhe tentativa për të penguar kryerjen e autopsisë tek trupi i pajetë i Azem Hajdarit. Oficeri i policisë gjyqësore, Skënder Rexha në momentin që është drejtuar tek morgu për të bërë autopsinë e kufomës së Azem Hajdarit, nuk është lejuar të futet. Madje në ato çaste ka patur edhe konfrontime fizike, pasi Skënder Rexha kërkonte të futej në sallën e morgut dhe të kryente detyrën, ndërsa persona të paidentifikuar janë bërë pengesë për të.

Tashmë me hapjen e dosjes “Hajdari”, pritet që avokati Bashkim Nikolla të zbardhë të vërtetën e këtyre pikave dhe të zbulojë arsyet se pse është vepruar në këtë mënyrë. Një gjë të tillë ai deklaroi edhe gjatë seancës së fundit gjyqësore, ku u shpreh se do të denoncojë rrjedhjen e provave dhe copëtimin e dosjes.

“Unë dosje më skandaloze nuk kam parë. Kjo dosja është copa-copa. Është edhe dosja e shekullit. Unë do t’i denoncoj të gjitha mungesat dhe rrjedhjet e provave dhe do të kërkoj të vërtetën. Izeti sot është shpresë për drejtësinë”, tha Nikolla pak ditë më parë.

Rruga që do të ndiqet

Izet Haxhia, përmes avokatit të tij mbrojtës, Bashkim Nikolla do të ndjekin një alibi për të nxjerrë në pah të vërtetat e shumë përfolura për vrasjen e Azem Hajdarit dhe për informacionet që mungojnë në dosjen hetimore. Sipas informacioneve, avokati i është drejtuar me nga një shkresë tri institucioneve kryesore shtetërore që mund të kenë informacion për këtë ngjarje. Më konkretisht, ai ka dorëzuar kërkesë për informacione dhe detaje tek Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Sapo të ketë në dorë të dhënat nga këto institucione, avokati do t’i bëjë pjesë të dosjes hetimore, duke thelluar hetimet për të nxjerrë në pah të vërtetën. Kujtojmë që pak ditë më parë, ai bëri publike një shkresë të SHISH drejtuar presidentit Rexhep Mejdani në vitet 1998, ku bëhej një përshkrim i ngjarjes së vrasjes së Azem Hajdarit, por në asnjë moment nuk përmendej emri i Izet Haxhisë si vrasës.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com