Është i kuptueshëm motivi i Greqisë që del sot si shtet revizonist, që don të revizionojë traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të fuqive të mëdha për kufijt e Shqipërisë.
Shkruan Shaban Murati
Ministrat e jashtëm, si rregull, nuk tregohen të sinqertë as në shtetin e tyre dhe as në shtetin, me të cilin zhvillojnë bisedime, por ndodh të jenë të tillë në vendet e treta. Kështu ministri i jashtëm grek, Nikos Kocias, u tregua në Moskë i sinqertë dhe zbuloi disa të vërteta të panjohura të bisedimeve dhe të marrëdhënieve aktuale midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Në fjalimin e mbajtur në institutin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Ministrisë së Jashtme të Rusisë në datën 13 qershor, Kocias tha: ”Shpejt, shumë shpejt, unë besoj se ne do të përfundojmë negociata mbi një paketë prej 10 çeshtjesh. Kjo paketë përfshin delimitimin e kufijve detarë dhe të zonave kufitare”. Ministri i jashtëm grek zbulon se kufijtë shtetërorë detarë të Shqipërisë me Greqinë janë objekt i bisedimeve të tanishme midis dy shteteve.
Është një objekt bisedimesh, i cili bie në kundërshtim flagrant me vendimin historik të Gjykatës Kushtuese, e cila në 15 prill 2010 rrëzoi si antikushtetuese marrëveshjen e detit të vitit 2009. Është një objekt bisedimesh, që bie në kundërshtim me të drejtën historike, të vërtetën historike dhe me dokumentet historike të fuqive të mëdha, të cilat në Protokollin e Firences të 27 janari 1925 dhe me “Aktin Final të Delimitimit të kufijve të Shqipërisë” të 30 korikut 1926 në Paris, vulosën përfundimisht kufijt e Shqipërisë në jug dhe në veri, dhe Akti është nënshkruar edhe nga qeveria e Greqisë edhe e Jugosllavisë.
Është i kuptueshëm motivi i Greqisë që del sot si shtet revizonist, që don të revizionojë traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të fuqive të mëdha për kufijt e Shqipërisë. Por është e papranueshme që vetë Shqipëria të dalë si shtet revizonist dhe të bëjë vetëvrasjen e kufijve të saj shtetërorë detarë sot, dhe tokësorë nesër. Deri tani nuk ka ndonjë përgënjeshtrim nga pala shqiptare se nuk po bisedohet për kufijt shtetërorë detarë të Shqipërisë.
Çeshtja e dytë, ku u tregua i sinqertë Kocias, është ecuria e bisedimeve dypalëshe. Pasi bëri pyetjen retorike “çfarë do të ndodhë me Shqipërine, me të cilën kemi pasur problem?”, po vetë dha përgjigjen para diplomatëve rusë: “Ne do të presim dhe disa pika të problemeve do të zgjidhen ose Shqipëria do të detyrohet të braktisë qendrimet e saj”.
E përkthyer në gjuhë të thjeshtë, formula greke e bisedimeve është formula e njohur diplomatike e shteteve të forta me shtete të dobta “merre ose lëre”. Pra mësojmë se Greqia ka vendosur në tryezën e bisedimeve kushtin që ose të pranohen propozimet greke ose do të ketë metoda shtërnguese për të detyruar Shqipërinë të heqë dorë nga mbrojtja e interesave të saj. Kocias nuk tha se cilat janë këto metoda detyruese, por nuk e ka fjalën tek vota greke për hapjen e bisedimeve, e cila është një bllof .
Çeshtja e tretë, që rreshtoi Kocias në fjalimin moskovit është se për çeshtjet e trashëguara, (ku hyn ligji i luftës), fajin e paska pasur Shqipëria, “që ka qenë nën regjimin izolacionist të Enver Hoxhës, kështu që nuk kishte shanse të negocioje çeshtje të ndryshme me të”. Justifikimi me regjimin e Enver Hoxhës është një truk diplomatik për të mbrojtur ligjin e luftës, sepse regjimi i Enver Hoxhës, pavarësisht nga të këqiat, nuk ka asnjë lidhje me ligjin e luftës, dhe Kocias e di se ishte ai regjim që rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Greqinë në 1971.
Por pse nuk e hoqi Greqia ligjin e luftës gjatë 27 viteve të postkomunizmit, këtë nuk e tha. Nuk tha as pse nuk ka filluar Greqia akoma asnjë praktikë juridike presidenciale apo parlamentare për abrogimin e ligjit të luftës bashkë me aktet ligjore, që rrodhën prej tij. Dhe përbën një skandal diplomatik e shtetëror që po flitet për marrëveshje të re deti, kur nuk është hequr akoma ligji i luftës.
Interesante, dhe që natyrisht ka kaluar pa u vënë re nga klakerët shqiptarë të komedive greke, është teza e re e ministrit të jashtëm grek se Shqipëria na paska aneksuar një pjesë të Maqedonisë greke. Në datën 11 qershor ai deklaroi se “me Traktatin e Bukureshtit 1913 një pjesë shumë e vogël e saj i kaloi Shqipërisë, ku sllavomaqedonët dhe bullgarët po luftojnë aktualisht për atë nëse janë bullgarë apo sllavomaqedonë”.
Shpiket një tezë e re greke, e cila nesër mund të kthehet në pretendim për pjesën e “Maqedonisë greke”, që na paska Shqipëria. Kjo tezë del si shtesë e pretendimit tradicional grek për “Vorio Epirin”, të cilin ua kujtoi zyrtarëve shqiptare të ahengjeve ballkanike ministri i mbrojtjes i Greqisë, Panos Kamennos, në datën 14 qershor, në një ceremoni me veteranët e luftës së dytë botërore, kur deklaroi se “së shpejti do të kemi rezultate për herojt e atdheut tonë “të lënë” në malet e “Vorio Epirit”.
Në lidhje me Shqipërinë, ministri i jashtëm grek deklaron në një intervistë me një televizion turk se ”Koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur të gjitha problemet, duke u shërbyer interesave greke”. Dhe i vuri kapakun në 13 qershor, kur tha se “para se të shkoj me pushime, unë do ta kem zgjidhur këtë. Përndryshe nuk ka pushime”. Aq të shtruar e sheh Kocias rrugën e marrëveshjeve të reja shqiptaro-greke, sa që si sakrificën më të madhe të Greqisë përcakton se mund të mos shkojë me pushime.
Kocias duhet falenderuar për sinqeritetin e tij dhe për zbardhjen e disa të vërtetave, të cilat disa levantinë me pantallona të shkurtra në zyra tonat shtetërore i mbajnë nën tavolinë. Ky sinqeritet i ministrit të jashtëm grek duhet të zgjojë Shqipërinë.