Teatri, politika dhe njerëzit
Shkruan Bedri Islami
Ka disa ditë që tema e teatrit kombëtar është bërë e përditshme dhe, në një skenë të improvizuar ngjiten aktor të ndryshëm për të protestuar kundër prishjes së godinës së vjetër. Emra të njohur e më shumë të panjohur po përbetohen për “zot e zotër”, po vrajnë e kthjellohen, po risjellin pjesë nga aktet që kanë pasë ëndërruar të luajnë, por që kurrë nuk kishin fatin.
Secili prej tyre është sot në vete një Naim Frashër, një Kadri Rosh, një Sandër Prosi, një Tinkë Kurti, një Robert Ndrenikë – origjinali është në të drejtën e tij mizore; të gjithë e të gjitha që flasin janë regjisorë të mëdhenj, bëjnë skena dhe thirrje , deri për të urinuar në atë skenë ku do të kishin dashur të ishte fytyra e shefit të qeverisë; të tjerë shkojnë edhe më larg – do të futen në grevë urie, do zaptojnë teatrin, gjithnjë në emër të vlerave të dikurshme – këtu kanë të drejtë, pasi pak prej tyre krijuan vlera në këto 28 vite; thërrasin në ndihmë emrat e mëdhenj të dikurshëm, sinonimë të teatrit, mburrja e kombit, të papërsëritshmit; duan të kenë frymën e tyre në skenat e vjetra, në paraskenat, në dialogjet, në monologjet; u kujtohen pjesë nga dramat e dikurshme dhe u duket vetja se përsëri mund të rishfaqin madhështinë e tyre – jo të tyre si vetë e parë ,por të përsonazheve që kanë luajt, e përsëri e përsëri rikthehen tek shpirtrat e mëdhenj të dikurshëm.
befas më është kujtuar se pak vite para se Enver Hoxha të ikte nga kjo jetë, në një mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror, kur po diskutohej edhe për artin, veçmas për teatrin, ishin të ftuar edhe artistët e mëdhenj, mes tyre edhe Kadri Roshi e Sander Prosi. Nuk e di pse jam i bindur se Ndrenika nuk ka qenë, pasi ishte gjithnjë i dyshuari i pushtetit, të cilët askush, as maja e piramidës, nuk ia hiqte dot piedestalin ku e kishte vënë populli.
Në atë mbledhje të Sekretariatit, materiali është i botuar, aktorët e mëdhenj, mes të tjerave,kërkuan dy gjëra: kur të jenë në xhirime filmash të kenë një dietë më të madhe, sepse pasioni, çasti, rrëmbimi , duan trajtim ndryshe – kërkesë që nuk i është plotsuar; dhe, e dyta, të gjithë kërkuan një teatër të ri. E kërkuan ata, të mëdhenjtë e të mëdhenjve, sipërorët e artit.
Enver Hoxha u kthye përgjigjen e njhour se tani për tani shteti nuk ka paratë e nevojshme për një teatër të ri, se jemi përballë bllokadës etj, fjalë të kësaj natyre. Sidoqoftë, u premtoi se kur të zgjidheshin halle të tjera, do i vinte rradha edhe teatrit të ri popullor , si quhej asaj kohe.
Kanë shkuar 38 vite që nga takimi i Enver Hoxhës me artistët e mëdhenj dhe pasuesit e tyre janë ende në të njëjtin teatër, me të njëjtën passkenë, të njëjtat dhoma, mjedise të njëjtë, por shumë herë më të amortizuar.
Tani , të gjithë këtë, po e bën edhe më përshesh politika. Basha dhe të tjerët pas tij, si në një kor të tragjedive të vjetra në rolin kobndjellës, bëhen transmetuesit e asaj që thuhet në skenën e ngritur pak mbi tokë. Teatri nuk mund të jetë kauzë e opozitës, jo se nuk duhet të kenë kujdes njerëzit e artit, por sepse këtu nuk flitet për njerëzit, por për një godinë, e cila, sado të qepet e të arnohet, si duket, nuk do të ketë të ardhme.
Po mendoja se si mund të veprojë një shef qeverie në këtë rast, kur një pjesë vringëllijnë aremët kundër tij, kur arti bëhet politikë dhe politika synon të kthehet në nënart, ndrësa pjesa tjetër, që ka gjithë të drejtën e saj normale të mendojë ndryshe, për një fjalë sakatohet?
Si do të kisha vepruar në këtë rast, kur njerëzit nuk e kuptojnë se qeveria nuk ka fond të mjaftueshëm – në fakt duhej ta kishte gjetur; kur ajo i drejtohet një sistemi tjetër – në fakt ky sistem do të ketë pas vetes mjaft probleme dhe kur, më në fund, një pjesë po bëhet gjithnjë e më radikale.
Ndoshta jam gabim: do të isha tërhequr, qoftë edhe përkohsisht, dhe do i kisha thënë , pikërisht këtyre radikalëve që, më më parë luajnë pjesët e recitalet e tyre në selinë shqupase se sa në punën e tyre, do i thoja krejt sinqerisht:
Nuk doni një teatër të ri. Bisedojeni me të tjerët. Bëni një referendum brenda mjedisit tuaj. Nëse versioni juaj është më i fuqishëm, le të mbetet ashtu. Le të mbetet ende ky teatër i vjetër, i rënë, që ka brenda vetes më shumë llum se sa jetë normale dhe mjedise njerëzore. Mbajeni kështu!
Nëse ndonjë herë do të vijë në pushtet Basha, kurdo qoftëkjo kohë, ose një tjetër sozie berishiane, atëherë bëjeni atë çfarë ëndrroni të bëni sot. Arnoni mbi të vjetrën. Nëse shteti nuk ka mundësi, ndoshta një ditë, sado e largët të jetë, do të vijë një pusht-etar tjetër, i njëjtë me Berishën e parë, i njëjtë me Berishën e dytë; i njëjtë me Lulin e zgjedhjeve të para, i njëjti me këtë të dytin, dhe bëjeni. Ata , atu ishin, tetë vite në pushtet, vodhën dhjetra herë më shumë se sa krkon i gjithë teatri i ri në një rrugë të vetme dhe kurrë nuk u kujtuan të vendosin një gozhtë të vetme në ato salla…
Lum ju që i besoni edhe kësaj here!
Do të thoja këtë dhe do të merresha me punët e tjera. Me njerëzit që janë të harruar. Me të varfërit që shtohen. me hallet që grumbullohen. Me ata që, edhe pse punojnë shumë, marrin më pak se aktorët që sillen gjithë ditën kafeneve.
Por, për fat të këtij vendi, unë nuk jam asgjë tjetër, veçse një qytetar i zakonshëm.