Loading...

“Shqipëria ka kapacitete të mbajë deri në 600 mijë refugjatë”, ministria e Brendshme sqaron deklaratën e Hodaj

Kryeministri Rama i cilësoi fantazi gjithë sa u thanë për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh në Shqipëri. Ndërkohë që media gjermane ZDF , në një reportazh shkruan se qeveria shqiptare nuk është kundër.

“Më shumë refugjatë në Ballkanin Perëndimor”, ishte titulli i reportazhit gjerman gjetë të cilit shfaqej edhe një intervistë e zhvilluar me zv.ministrin e Brendshëm, Julian Hodaj.

“Në të ashtuquajturën rrugë Ballkanike Perëndimore nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Austri, numri i refugjatëve po rritet përsëri”, thuhet në një pjesë të reportazhit të ZDF.

Gazetarja duke përshkruar situatën thotë: “Sipas qeverise austriake në Shqipëri mund të krijohet qendër refugjatesh për gjithë BE. Edhe qeveria shqiptare duket se nuk është kundër. Ajo shpreson për mbështetje financiare dhe anëtarësim në BE”. Ndërkaq në intervistën e tij Hodaj deklaroi se Shqipëria ka kapacitete për të mbajtur emigrantë, por nuk e tha qartë nëse do të ketë kampe.

“Shqipëria ka kapacitete të mbajë deri në 600 mijë refugjatë. E ka treguar këtë edhe në të kaluarën gjatë luftës së Kosovës”, tha Julian Hodaj.

Pas këtij shkrimi ministria e Brendshme ka sqaruar deklaratën e zv. ministrit Hodaj

Sqarim

Nisur nga jehona mediatike e një kronike televizive të rrjetit gjerman ZDF, në datë 19.06.2018, me qëllim evitimin e spekulimeve dhe keqpërdorimeve të përmbajtjes së kësaj kronike, Ministria e Brendshme sqaron se:

– Ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim. Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë.

– Thëniet e zv.ministrit Julian Hodaj, të cituara në kronikë janë përgjigjja e një pyetje konkrete:
“Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh?”
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është ajo që citohet: “Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”.

Pra përgjigjja lidhet me një situatë hipotetike humanitare emergjence, si ajo gjatë luftës së Kosovës ku pati një angazhim shtetëror e popullor, dhe jo mbi një diskutim nëse një kamp mund të ndërtohet ose jo në Shqipëri

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com