Ndërsa zbret poshtë valëve, ujërat e turbullta në pak metrat e parë i hapin shumë shpejt udhën ujërave të kristalta dhe pamjes marramendëse të dhjetëra e mbase qindra vazove antike në shtratin e detit, testament i udhëtimit të pafat të ndonjë tregtari me shumë se 1600 viteve më parë.
Në bregun e thyer të Shqipërisë, një prej zonave nënujore më pak të eksploruara në botë, shtrihet një thesar i madh, shkruan gazetarja e “Assosiated Press”, Elena Becatoros në një reportazh kushtuar vendit tonë.
Amfora të lashta, vazo prej qeramike që mbanin vajin e ullirit dhe verën përgjatë udhëtimeve detare mes Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake, gjenden në fund të detit bashkë me rrëfenjat e fshehura të heroizmit dhe tradhtisë nga dy luftërat botërore, formacionet shkëmbore spektakolare e jetën e pasur nënujore.
Ndërsa citon një ekspert amerikan që ka eksploruar bregdetit shqiptar përgjatë dekadës së fundit, gazetarja pohon se në ujërat e vendit tonë nuk mund të notosh më shumë se disa metra pa gjetur diçka të mrekullueshme.
Tani, Shqipëria po vlerëson se si t’i studiojë e t’i mbrojë më mirë atraksionet nënujore, vijon artikulli, duke ia treguar ato edhe vizitorëve në një vend me territor të virgjër për industrinë e zhytjes.
Dikur më e izoluar se Koreja e Veriut, Shqipëria po hapet gradualisht ndaj turizmit ndërkombëtar, por reliket nënujore deri më tani janë ruajtur me fanatizëm pasi ekziston frika se nëse ato të bëhen më të aksesueshme mund të plaçkiten.
Gazetarja e “Assosiated Press” kujton se legjislacioni për mbrojtjen e trashëgimisë nënujore pritet të miratohet së shpejti, çka do të mundësojë edhe qasjen e turistëve./topchannel