Amantia u themelua si qytet diku rreth fundit të shekullit V p. K. në brendësi të Vlorës së sotme në një kodër prej 613 m mbi nivelin e detit ngjitur me malin e Kudhësit.
Amantia ishte qyteti kryesor i Koinonit, qendra politike, ekonomike, shoqërore, kulturore etj.
Në të kryqëzohej një rrjet i dendur rrugësh që lidhnin Apoloninë me Bylisin dhe më tej me Epirin. Të ardhurat kryesore ekonomike vinin nga blegtoria dhe tregtimi i lëndës drusore, pasi malet përreth ishin të veshur me pyje.
Në vitet 260 p. K. – 168 p. K. (Hasan Ceka, Probleme të numizmatikës ilire, 1965), Amantia nxori edhe monedhat e saj prej bronzi me nënshkrimin “Amantion”. Lidhjet kryesore ekonomike qyteti i kishte me Apoloninë dhe Epirin.
Ndërkohë, nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet me Apoloninë, e cila shfrytëzonte minierën e serës së Selenicës, e cila gjendej në territorin amantin.
Mbishkrimet e gjetura dëshmojnë një organizim te perkryer të strukturës shtetërore, ku ndeshen një sërë nëpunësish dhe institucionesh si: Prytani, Agonoteti, Epimeleti, këshilli, sekretari i tij, këshilltarët etj., kurse nga strukturat ushtarake ndeshim Toksarkun, komandantin e shigjetarëve.