Përveç ekspertëve që do të qëndrojnë në Tiranë dhe do të japin asistencë teknike, Brukseli ka gati dhe fondet financiare. Gazeta “Sot” ka mësuar se BE ka akorduar plot 7.500.000 euro që do i shërbejnë EURALIUS për të rimëkëmbur drejtësinë shqiptare.
Fondi në fjalë përveçse do shkojë për funksionimin e misionit, do të ketë dhe një ndarje për të financuar institucione të caktuara me qëllim që të zbatohet sa më shpejt reforma në drejtësi. Mbërritja e misionit EURALIUS V, duket se është një kambanë alarmi për politikën dhe gjyqtarët e prokurorët shqiptarë.
Pak ditë më parë u publikua raporti Knut Fleckenstein për vendin tonë dhe kushti kryesor i BE është ngritja e SPAK, e Byrosë së Hetimit dhe lufta ndaj korrupsionit në nivel të larta. Edhe fokusi i EURALIUS do të jenë pikërisht organet e reja që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit. Dje ishte ambasadorja Vlahutin ajo e cila e bëri të qartë se shumë shpejt reforma do japë efekt dhe ajo do e shfarosë korrupsionin në të gjitha nivelet.