Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka gjobitur plotë 112 zyrtarë të lartë gjatë vitit 2017, për shkak se kanë ushtruar detyrën në konflikt interesi.
Shumë shpejt institucioni i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj do të raportojë në Kuvend për punën e vitit që lamë pas, por gazeta “Sot” ka mësuar se një sërë detajesh.
Përveç kontrollit të pasurisë, një detyrë tjetër e ILDKPI është edhe parandalimi apo zbulimi i konfliktit të interesit.
Në këtë mënyrë inspektorët e ILDKP gjatë vitit 2017 kanë zbuluar se 112 zyrtarë kanë pasur konflikt interesi në detyrën që ata ushtrojnë. Mësohet se bëhet fjalë për zyrtarë që kanë përdorur postet e tyre për përfitime personale.
Shumë prej tyre, teksa kanë qenë në punë si zyrtarë të lartë, kanë pasur aktivitete private, kryesisht biznese që kanë përfituar nga shteti tendera apo benefite të tjera.
Ndërkohë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka ndalur plot 287 raste, përpara se zyrtarët e lartë të merrnin detyrën. Pra thënë më drejtë, ILDKP ka ndërhyrë në kohë, teksa informuar institucionet se këta persona janë në konflikt interesi, duke parandaluar kështu konfliktin e interesit.