Loading...

SHËNIM – Historia e errët e ishullit ku do të takohen Trump dhe Kim

Kur presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri koreano-verior, Kim Jong Un do të takohen për herë të parë në Singapor, të martën e ardhshme, kjo do të jetë diçka historike dhe e mrekullueshme.

Sentoza, një ishull që ndodhet në jug të Singaporit, është e mbushur plot gjelbërim, hotele luksoze, fusha golfi, me një kazino të jashtëzakonshme dhe një park argëtimi të “Universal Studios”.

Ajo është shtëpia e disa prej njerëzve më të pasur të botës, me një flotë jahtesh luksoze dhe vila me pamje nga deti që vlejnë miliona dollarë.

Zgjedhja e këtij ishulli prej 500 hektarësh për samitin ka edhe arsye logjistike. Ai është vetëm 500 metra larg tokës dhe i aksesueshëm kryesisht nga një rrugë e vetme, duke ofruar izolim dhe privatësi, ndërkohë që është më e lehtë për të rritur sigurinë dhe për të eleminuar trafikun gjatë kohës së këtij eventi.

Megjithatë, fasada e freskët dhe tropikale e Sentozës fsheh historinë e saj të përgjakshme.

Deri në vitin 1830, ishulli njihej nga banorët vendas (malaitë) si “Pulau Belakang Mati”. Ka shumë variacione të kuptimit që mund të ketë ky emëritm, por një prej përkthimeve më popullore është “ishulli ku të ndjek vdekja”.

Historianët janë të ndarë për arsyet e origjinës së këtij emri, me disa që spekulojnë se i referohet epokës së piraterisë, kur kishte shumë bastisje dhe gjakderdhje në këtë zonë.

Përdorimi i saj gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i ngjashëm, pasi forcat pushtuese japoneze e përdorën ishullin si kamp për të burgosurit britanikë dhe australianë pas dorëzimit të forcave aleate në vitin 1942.

Në atë kohë plazhet e saj u shndërruan në zona të ekzekutimit masiv të një numri të lartë kinezësh të Singaporit, të cilët vriteshin sepse dyshoheshin, shpesh herë arbitrarisht, për sjellje kundër aktiviteteve japoneze.

Në vitin 1972, qeveria e Singaporit vendosi të ndryshojë gjithçka duke rizhvilluar ishullin për turizëm dhe duke i vënë emrin “Sentoza”, nga Malai, fjalë që i referohet një gjendje paqeje dhe qetësie. Të paktën një miliard dollarë nga fondet private dhe publike u hodhën në këtë projekt për ta kthyer në portën turistike që është sot.

Një prej atraksioneve kryesore është hoteli “Capella”, që do të presë samitin historik.

I dizenjuar nga arkitekti britanik, Norman Foster, i cili ka dizenjuar edhe selinë e famshme qendrore të “Apple” në formë rrethore në Kaliforni dhe “The Gherkin” në Londër, hoteli është një godinë koloniale e restauruar që përdorej për të pritur anëtarët e ushtrisë britanike, i mbushur plot zbukurime dhe një lëndinë të butë.

Prenotimi i një dhome për një natë në këtë hotel pompoz kushton rreth 600 dollarë të Singaporit (450 dollarë amerikanë), ku vila më e shtrenjtë arrin deri në 11 000 dollarë të Singaporit nata. /ATSH

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com