Sezoni turistik veror është prioritet për strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, çka reflektohet në masat e marra dhe ato që do të merren në vazhdimësi për të garantuar rendin dhe sigurinë e nevojshme në të gjithë territorin, përgjatë plazheve dhe hapësirave të tjera që shfrytëzohen nga turistët për të kaluar pushimet.
Gjatë një komunikimi me median, Drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës, Gentjan Shehaj, bëri një pasqyrë të gjendjes së deri tanishme për periudhën maj-qershor, ndërkohë që publikoi planin e masave që do të zbatohen në javët dhe muajt në vazhdim, në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore, si pjesë e strukturave funksionale të Task Forcës së ngritur për këtë qëllim, nën drejtimin e Institucionit të Prefektit të Qarkut.
“Sezoni turistik veror, për policinë është prioritar dhe për këtë qëllim janë marrë një sërë masash në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, Repartin Delta Force si dhe Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier”, nënvizoi Shehaj. Sipas tij, ky plan masash ka si qëllim rritjen e parametrave të sigurisë përgjatë sezonit turistik veror. Në zbatim të këtyre masave është bërë riorganizimi i shërbimeve, duke u bazuar edhe në përvojën dhe problematikat e shfaqura një vit më parë. Gjithë vija bregdetare është ndarë në 10 sektorë, me strukturat përkatëse të policisë dhe me përgjegjësi të ndara respektivisht. Në këtë proces janë përfshirë 325 punonjës policie dhe për shkak të fluksit në pritje të turistëve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka vënë në shërbim të policisë vendore 100 shërbime policie shtesë, si edhe 15 mjete.
Ky plan masash, sipas drejtorit Shehaj, i është përcjellë institucionit të Prefektit të Qarkut, si edhe bashkive Vlorë, Himarë e Sarandë.
Kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë bëri të ditur se, deri tani, janë zhvilluar një sërë takime të Task Forcës së ngritur për këtë qëllim, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut, ku është synuar informimi i të gjitha subjekteve dhe detyrimet që ato kanë për sinjalistikën në plazhe si edhe për ndotjen akustike. Nga analiza e sezonit turistik veror të vitit të kaluar, është konstatuar se problematikat më të mëdha janë hasur kryesisht në mangësitë me sinjalistikën në plazhe. Por, nga ana tjetër edhe ndotja akustike ka qenë një shqetësim. Për këto arsye, po punohet për t’u paraprirë dhe për t’u paradalë këtyre problematikave, në mënyrë që ato të mos përsëriten dhe çdo institucion të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të kryejë detyrimet.
Janë evidentuar 57 subjekte në risk, të cilat gjatë vitit të kaluar kanë shfaqur shqetësime në ndotjen akustike, me të cilat është komunikuar dhe u është përcjellë informacioni i nevojshëm për masat dhe detyrimet e tyre në zbatim të ligjit përkatës dhe aktit normativ respektiv të Këshillit të Ministrave.
Krahas kësaj, janë përgatitur një numër fletëpalosjesh, të cilat do të shpërndahen gjatë gjithë sezonit veror për turistët e huaj dhe ata vendas, për t’i informuar për masat dhe ndërhyrjet e policisë na raste shqetësimesh.
Paralelisht është punuar për zbatimin e detyrimeve që lindin për sinjalistikën në territorin e plazheve.
Drejtori Gentian Shehaj, garantoi të gjithë mbështetjen e strukturave të policisë për rend dhe qetësi në plazhe dhe në të gjitha hapësirat e pushimit, ndërkohë që u ofroi të gjitha institucioneve zyrtare partneritet për kryerjen e detyrave. Ai kërkoi nga qytetarët të jenë bashkëpunues gjatë gjithë sezonit e në vazhdimësi, në mënyrë që të parandalohen raste të shqetësimeve./atsh