E diela e sotme mbyll përfundimisht raundin e dytë të ndeshjeve në fazën e grupeve të Botërorit të Rusisë.
Vëmendja do të jetë padyshim te sfida mes Polonisë dhe Kolumbisë, që në prag të kompeticionit shiheshin si pretendentet kryesore për të kaluar në raundin tjetër, por që në realitet janë në pozita të vështira.
Të dyja këto skuadra janë befasuar në ndeshjet e tyre të para, pasi janë mundur nga Senegali dhe Japonia, e tani secila prej tyre do të kërkojë të fitojë me çdo kusht, pasi barazimi nuk do t’u bënte shumë punë.
Polonia luan për herë të 9 kundër një ekipi amerikano-latin në një Botëror, me një bilanc jo pozitiv: 3 fitore e 5 humbje. Edhe më negativ është bilanci i Kolumbisë në 8 ndeshjet e fundit me ekipet europiane, me vetëm 2 fitore, 1 barazim e 5 humbje.
Sfida Poloni-Kolumbi do të luhet pas asaj mes Japonisë e Senegalit, që askush nuk i priste t’i bënin një fillim të tillë Botërorit, duke fituar ndeshjet e tyre respektive me të njëjtin rezultat: 2-1 ndaj Kolumbisë e Polonisë.
Edhe në këtë ndeshje, në lojë janë 3 pikë me shumë peshë, pasi do të thoshte kualifikim për në raundin tjetër të Kupës së Botës. Për Japoninë mund të jetë hera e tretë që kualifikohet në 1/8-at e finaleve, pas Botërorëve të viteve 2002 dhe 2010, ndërsa Senegali do të kërkojë të arrijë kualifikimin e dytë mes 16 më të mirave të një Kupe Bote, në dy pjesëmarrje.
Vlen të theksohet se në vitin 2002, Senegali arriti deri në çerekfinale.
Me shumë rëndësi është edhe sfida mes Anglisë e Panamasë. “Tre Luanët”, pas fitores së vuajtur me Tunizinë, kanë mundësinë të marrin 3 pikë të tjera për t’iu bashkuar Belgjikës në 1/8-at e finaleve, një objektiv që kombëtarja e Mbretërisë së Bashkuar dështoi ta arrinte 4 vite më parë.
Anglia do të kërkojë të fitojë ndaj Panamasë edhe për të diskutuar vendin e parë në grup me Belgjikën, por “Tre Luanëve” u duhet që të fitojnë me goleadë këtë ndeshje, për të pasur këtë mundësi, pasi Belgjika ka një golavarazh +7 kundrejt atij +1 të britanikëve./tch