Bregdeti jugor i Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj në këtë fillim sezoni turistik.
Gjatë periudhës maj-qershor 2018 vetëm në portin e Vlorës dhe Himarës kanë mbërritur rreth 651 turistë.
Në të dy këto porte vijojnë të ankorohen anije turistike me turistë të huaj në bord nga vende të ndryshme të botës, si Italia, Belgjika, Finlanda, Danimarka, Hungaria, Polonia, Anglia, etj.
Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “ditët e fundit, një numër i madh turistësh kanë ardhur në portin e Himarës. Në bordin e dy anijeve turistike ‘Marina’ dhe ‘Ionian Sun’ ndodheshin turistë të rinj nga vende të ndryshme të Europës të ardhur nga porti i Korfuzit”.
“Në portin e Himarës ka mbërritur edhe një anije tjetër turistike, e cila e çon në 651 numrin e turistëve që kanë zgjedhur si destinacion turistik bregdetin jugor të Shqipërisë”, – theksoi Malaj.
Kreu i portit të Vlorës shprehet se vazhdon të rritet edhe numri i turistëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë nga porti i Himarës drejt Korfuzit me katamaranin “Kristi”.
Sipas tij, interes të lartë vijon të ketë edhe për udhëtimet drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur, shumica me zalle, por edhe me rërë të bardhë e të imët. Spillea, është plazhi qendror i Himarës, me shumë vizitorë në verë, më tutje janë Prino, Potami, Filikuri, më në jug Llamani, Qeparoi, Borshi, brigjet e Piqernit (Buneci), Lukova dhe Kakomea.
Turisti në zonën e Himarës gjen det e qiell të pastër, brigje ranore të ngulura në shkëmb, objekte kulturore dhe historike, monumente të natyrës dhe një kulinari të veçantë detare. Himara është perla detare e Shqipërisë/atsh
https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1329699757164326/?t=0