Loading...

Rrëfehet shqiptari që shpëtoi 6 persona nga përmbytja në Francë, tani atë e shohin si super heroin e tyre

Është kthyer në hero për banorët një azilant nga Kosova, në komunën e vogël të Changé-s. ai është Florim Shehu pasi shpëtoi dy familje nga përmbytjet që goditën rajonin e Mayenne-s në Francë gjatë vikendit.

Ai rrëfeu për mediumin francez Ouest France ngjarjen e së dielës në fshatin Change. Florim Shehu jeton prej vitesh në Francë, ai u shpreh: “Stuhia filloi rreth orës 16:00 të dielën.

Unë shkova për të lëvizur makinën time sepse uji po rritej shumë shpejt, por në fund të rrugës pashë një grua që ishte bllokuar në shtëpinë e saj”

Pasi e pa gruan e mbërthyer brenda shtëpisë, Florim Shehu braktisi veturën e tij, të cilën tentonte ta shpëtonte nga vërshimet dhe shkoi për të shpëtuar fqinjtë e tij në lagje.

Kur arriti në derën e shtëpisë, Florimi e kuptoj se gruaja e bllokuar brenda shtëpisë nuk ishte vetëm.  “Burri i saj kishte shkuar në një dyqan dhe ajo ishte me dy fëmijët e saj, duke përfshirë një foshnje një muajshe”, tregon Florim Shehu.

Përkundër vërshimeve të mëdha, azilanti nga Kosova arriti t’i shpëtonte tre njerëzit që ishin bllokuar brenda shtëpisë së tyre dhe i kishte çuar ata në shtëpinë ku ai banonte.

Apartamenti ku ai jeton prej shtatorit të vitit të kaluar me gruan dhe dy fëmijët e tij, gjendet në katet e larta të një ndërtese në fshat dhe nuk ishte i prekur nga vërshimet.

Në këtë moment, Florimit i kërkoi ndihmë një mik i tij nga Parisi. Ai i kërkon kosovarit që t’i ndihmonte familjes së tij që jetonte në fshatin Change.

“Ishte djali i fqinjëve të mi që më thirri nga Parisi. Ai më kërkoi ta ndihmoja familjen e tij që ishte bllokuar në shtëpinë e tij”, u shpreh Florim Shehu.

Në kohën kur ai shpëtoi njerëzit e tjerë që ishin ngujuar në shtëpitë e tyre, vetura e Florimit ishte bartuar nga uji dhe kishte përfunduar në lume.

Mirëpo, aksioni i kosovarit nuk u ndal me kaq. Ai shpëtoi edhe tre fqinj të tij ukrainas të ngujuar në katin e parë të ndërtesës ku ai banon.

Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Florimi nuk mund ta hapte derën e apartamentit, kështu që ai u fut nga dritaret, prej nga edhe i nxori tre vetë që ishin ngujuar në këtë banesë.

Për vetëm një orë, raporton Ouest France, Florimi shpëtoi gjashtë vetë nga vërshimet. “Është heroi ynë!”,deklaroi fqinja e tij, Dominique Roger, shtëpia e së cilës ka pësuar gjithashtu shumë dëme materiale.

Teksa jeton në Francë prej tri vitesh, Florim Shehu ka aplikuar për azil në prefekturën e Mayenne-s. Ende nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarët e shtetit francez, mirëpo pas këtij akti heroik, komuna është e gatshme t’i ndihmojë atij.

Kryebashkiaku i komunës së vogël të Change-s, Denis Mouchel ka thënë se do të përpiqet ta gjejë një zgjidhje për t’i ndihmuar Shehut.

“Ai preferoi t’i shpëtonte fqinjët e tij në vend të veturës së tij. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për të”, ka premtuar kryebashkiaku Denis Mouchel.

Mediet franceze e kanë krahasuar kosovarin Florim Shehu me azilantin afrikan nga Mali, Mammadou Gassama, i cili dy javë më parë shpëtoi një fëmijë 4-vjeçar nga rënie prej një ballkoni të një ndërtese në Paris, shkruan Insajdeni.com.
Rrëfehet shqiptari që shpëtoi 6 persona nga përmbytja në France, tani atë e shohin si super heroin e tyre

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com