Në hapjen e sezonit turistik në qytetin e Orikumit, Kryeministri Edi Rama ka thënë se ky qytet ka potenciale të mëdha për turizmin, ashtu edhe për agroturizmin.
“Reduktimi i taksës për turizmin nga 20 për qind në 6 për qind, si dhe heqja e TVSH për dhjetë vjet për hotelet e reja me 4-5 yje janë iniciativa të qarta për mbështetjen që qeveria jep për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori”, thotë kreu i Qeverisë.
Sa i takon zhvillimit të infrastrukturës, Rama ka folur rreth tunelit të Llogarasë dhe aeroportit të Vlorës.
“Tuneli është një domosdoshmëri strategjike për të përshpejtuar lidhjen me pjesën tjetër, ndërsa aeroporti i Vlorës do të jetë një portë e re hyrëse dhe dalëse për Shqipërinë, duke dhënë lehtësi për të gjithë udhëtarët e zonës së jugut dhe turistët që duan të vijnë këtu. Kam bindjen se do ta realizojmë më shpejt nga sa parashikohet dhe uroj që të dalë siç unë kam bindjen”, shtoi ai.