Kryeministri Edi Rama duket se e ka ndarë mendjen që t’i bëjë një pjesë të mirë të autostradave në vend, me pagesë. Ditën e sotme, teksa ka folur nga qyteti i Durrësit, ai ka dhënë lajmin “fantastik” se edhe autostrada Tiranë-Durrës, pas riparimit të saj, do të bëhet me pagesë, pasi vetëm kështu do të mund të mirëmbahet.
Më konkretisht Rama tha:
Rrugët kombëtare do të jenë shumë më të mirëmbajtura më në vijimësi. Po Tiranë-Durrës nuk është një rrugë që meriton thjesht mirëmbajtje, po tani ka domosdoshmërinë e një rindërtimi dhe zgjerimi. Për këtë po bëjmë një studim që përfundon rreth mesit të korrikut ku duam të vlerësojmë rindërtimin dhe zgjerimin për të rritur shpejtësinë e kontaktit mes Durrësit dhe Tiranës dhe sigurinë e lëvizjes në aksin ekzistues me pagesë.
Ndërkohë rindërtimin dhe pastaj shfrytëzimin pa pagesë të një tjetër aksi të rëndësishëm të degraduar për kaq shumë vite, Tiranë- Ndroq-Plepa që hap prespektivë për zhvillimin e mëtejshëm të agorturizmit ku ka shenja të para dhe peizazhe e potenciale të jashtëzakonshme për agroturizmin”. Pra, siç e shikoni, edhe një herë tjetër kryeministri po na i fut ëmbël, bukur e me lezet, sikurse bëri edhe me autostradën në Rrugën e Kombit.
Por a kanë më fuqi shqiptarët të paguajnë për çdo hyrje-dalje në Tiranë, edhe pse do të ketë rrugë alternative? A i përmbushim ne standardet ekonomike për të pasur të tilla taksa?