Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e së enjtes disa vendime të rëndësishme ekonomike ndër të cilat, Dokumentin e ndryshimit nr.2 të marrëveshjes së grantit suedez Nr.TF014255, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), për bashkëfinancimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes.
Gjithashtu qeveria miratoi vendimin për financimin e njësive të qeverisjes vendore të Qarkut Tiranë/Bashkia Tiranë, për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata koncesionare “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike, zona e trajtimit të mbetjeve Tiranë (ZTMT)”.
Një vendim tjetër lidhet me miratimin e marrëveshjes së ndryshuar me gazsjellësin TAP e cila synon që t’i sjellë më shumë përfitime palës shqiptare, një marrëveshje e diskutuar gjatë dhe që synonte vendosjen e Shqipërisë në një trajtim të barabartë sikurse vendet e tjera ku kalon gazsjellësi. /e.xh//e.caushi//ATSH