Loading...

Qëlloi 4 plumba në kokën e bashkëshortit, gruaja nga Rrësheni tregon arsyen e ngjarjes

Nga Rrësheni në Milot me armën në makinë, 35-vjeçarja ekzekuton bashkëshortin me tri plumba. Si çdo ditë të diel, Kujtim Donaj kishte shkuar në tregun e Milotit për të hapur rrobat e përdorura në tezgën e tij. Por, vetëm pak minuta pasi 42-vjeçari kishte nisur punën, gruaja e tij, Violeta Donaj, 35 vjeçe, pa bërë shumë debat i ka drejtuar pistoletën dhe ka qëlluar mbi të katër herë.

Tre plumba i shkaktuan vdekjen e menjëhershme babait të dy fëmijëve, ndërsa një plumb i katërt bëri rikoshet, duke shkaktuar panik te tregtarët e tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:10 të mëngjesit të së dielës, në tregun e gjësë së gjallë të Milotit.

Sipas Policisë, menjëherë pas ngjarjes autorja e krimit u ndalua në tentativë për t’u larguar nga një polic i burgut të Shënkollit, i cili u gjend rastësisht pak metra larg vendit ku ndodhi krimi i rëndë. E reja u shoqërua në ambientet e komisariatit të Kurbinit, ndërsa policia sekuestroi edhe armën e krimit.

Nga sa mësohet, çifti Donaj nga Rrësheni punonin çdo të diel si tregtarë në tregun e Milotit, ku kishin një dyqan rrobash të përdorura. Pikërisht në këtë vend ndodhi edhe ngjarja e rëndë, zonë kjo tepër e populluar. Sipas të dhënave, Kujtim Donaj kishte shkuar në Milot gjatë ditës së diel para bashkëshortes së tij dhe në momentin e ngjarjes ai po hapte rrobat mbi tezgë për t’i tregtuar.

Në atë kohë është afruar bashkëshortja e tij, e cila ishte e shoqëruar së bashku me kunatën. Menjëherë 35-vjeçarja ka nxjerrë armën pistoletë, që e mbante në çantë dhe qëlloi katër herë në drejtim të bashkëshortit. Ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme nga plumbat e marrë në gjoks dhe shpatull, ndërsa trupi i pajetë i tij u dërgua për ekspertizë mjeko-ligjore në spitalin e Laçit.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e krimit së bashku me 4 gëzhoja. Pas krimit të kryer, 35-vjeçarja ka qenë në një gjendje mjaft të rënduar psikologjike dhe fillimisht nuk ka folur asnjë fjalë para oficerëve të policisë për atë çfarë kishte ndodhur. Pasi është qetësuar, oficerët e kanë marrë në pyetje 35-vjeçaren.

Ajo mësohet të ketë thënë se e ka kryer krimin për shkak të debateve të vazhdueshme që kishte me burrin.

“Luante bixhoz, shpenzonte shumë para dhe ishte xheloz për mua, ndaj dhe e vrava, pasi nuk po gjeja zgjidhje tjetër. E kam qortuar disa herë, por ai nuk i merrte në konsideratë fjalët e mia”, mësohet të ketë thënë Violeta Donaj para oficerëve të policisë, të cilët e kanë marrë në pyetje, shkruan Panorama. Nga ana tjetër, ajo nuk ka rrëfyer se ku e ka gjetur armën me të cilën kreu vrasjen e burrit.

Por, dëshmia e saj nuk i ka bindur hetuesit, të cilët pritet të marrin në pyetje edhe familjarë e të afërm të çiftit Donaj. Dëshmia e tyre pritet të jetë me mjaft interes, për të saktësuat shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia bën me dije se 35-vjeçarja Violeta Donaj nuk kishte bërë asnjë herë denoncim në Polici për problemet familjare që ajo kishte. Bashkëshortët Donaj jetonin në qytetin e Rrëshenit dhe kanë dy fëmijë, 8 dhe 14 vjeç. Në momentin e ngjarjes mësohet se fëmijët ishin në banesën e tyre në qytetin e Rrëshenit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com