Ankthi dhe pritja që një jetë njerëzore të shpëtonte ka marrë fund për dhjetëra pushues tek Gjiri i Lalëzit, kur dallgët nxorën në breg trupin e pajetë të një djali të ri, i cili ishte deklaruar i zhdukur nga shokët e tij.
Të tmerruar dhe të shokuar që askush nuk iu përgjigj thirrjes së tyre për ndihmë dëshmitarët tregojnë për “BalkanWeb” se vetëm polici i zonës ka mbërritur në vendin e ngjarjes, pak para se deti të nxirrte trupin e të riut.
“Policia është njoftuar nga pushuesit e tjerë prej rreth një ore por përveç një polici të zonës, askush nuk ka ardhur në vend. Kemi telefonuar 129 që në orën 12:10, askush nuk e hapte telefonin. Lajmëruam forcat zjarrfikëse dhe ata u lidhën më pas me policinë por sërish nuk kanë ardhur as polumbarë e as ambulancë në plazh”, deklarojnë pushuesit për “BalkanWeb”.
Ata thonë se për të mbuluar trupin e pajetë të viktimës kanë përdorur peshqirët e plazhit.
“As ambulancë nuk ka pasur dhe viktima është mbuluar me peshqir nga pushuesit që tregojnë tmerrin e përjetuar në minutat e pritjes”,- thonë ata.
Dëshmitarët shtojnë se me të mbërritur në vendin e ngjarjes, polici iu drejtua shokëve të viktimës me fjalët: “Pse nuk e nxorët, nuk kishit fuqi, si e latë të mbytej”.