Prokurori i Apelit të Tiranës, Gentian Trenova i është bashkuar listës së personave që kanë ngelur në procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin për shkarkim ditën e sotme për prokurorin Trenova, i cili është njëkohësisht anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesi Lulzim Hamitaj, relatorja Brunilda Bekteshi dhe anëtari Olsi Komici bëri me dije se prokurori i Apelit i është nënshtruar procesit me përparësi si anëtar i KED, në tre komponentë siç janë pasuria, aftësia profesionale dhe integriteti.
Në lidhje me pasurinë, KPK duke iu referuar hetimeve të saj por edhe raportit të ILDKPI, ka konstatuar prokurori i Apelit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme, ka fshehur pasurinë dhe ka kryer deklarim të rremë. Nga verifikimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Trenova rezultoi se nuk justifikonte pasurinë për apartamentin e tij në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, si dhe vlerën prej 12 mijë euro të parapaguar në 2007.
“ILDKPKI ka konstatuar se Trenova ka kryer deklarim të rremë. Prokurori Trenova ka mungesë të burimeve të ligjshme të pasurisë. KPK ka kryer kontroll të thelluar. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka një apartament në rrugën “Ferit Xhajko”. Ka dyshime të arsyeshme se Trenova ka gënjyer për apartamentin”, deklaroi relatorja.
Sa i takon aftësive profesionale të prokurorit të Apelit të Tiranës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka sjellë një rast, kur Gentian Trenova ka pushuar hetimet për pasurinë për një person të arrestuar nga policia greke me kanabis dhe një pistoletë. Sipas KPK, prokurori ka kryer hetim të paplotë, duke mos hetuar për verifikimin e këtij personi. Mirëpo, të njëjtin fat ka pasur edhe hetimi ndaj një prokurori të kapur në korrupsion. Në këtë procedim, sipas KPK kishte përgjime për përfshirjen e një prokurori me inicialet A. K. Kjo çështje u ndoq nga Trenova, i cili e mbylli hetimin, ndërsa më pas gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe u asgjësua ky përgjim.