Shteti nuk ka për ata që jetojnë në mjerim, por ka për politikanët e tij, që ata t’i bëjë milionerë me rroga, me dieta, karburante e karta telefonike që i bëhet edhe një rrogë tjetër, dhe po t’i shtosh edhe ato që vjedhin e marrin si pa të keq nga bizneset që i lejojnë të mos paguajnë as taksa, as tatime etj., etj., kjo i bën që të kalojnë kufirin e të bëhen milionerë duke u marrë vetëm me atë që është “nëna” e tërë këtyre prapësive, politikës!
Shkruan Pandeli Bardhi
Me të drejtë thuhet që shkaktarët e kësaj gjendjeje në të cilën ndodhemi, është kjo politikë e mbrapshtë dhe kjo klasë politike pavarësisht nga ngjyrat. Politika, disa i ka bërë milionerë e shumicën tjetër i ka lënë në mjerim! Është krijuar një shtresë të pasurish, të cilët janë ata që janë bërë të tillë nëpërmjet politikës dhe atyre që politika u ka krijuar kushte si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, sekserë, pronarë mediash etj., etj. Edhe biznesmeni më i fuqishëm sikur të jetë, pasuria e tij, nuk do të mund të kalojë kurrë pasurinë e atyre që janë pasuruar nëpërmjet “biznesit” politik.
Kjo është e veçanta te ne. Nëqoftëse kudo në botë, me përjashtime të rralla, milionerët janë bërë të tillë nëpërmjet të ardhurave nga bizneset e tyre, tek ne milionerë janë bërë politikanët. Janë pikërisht krerët e politikës, ata që e kanë kthyer politikën në “alergji” për shumicën e qytetarëve dhe në pasuri përrallore për një pakicë që futen në politikë vetëm e vetëm për ta kthyer politikën në pasuri për vete dhe në “punësim” për të papunët.
Të papunët mbushin kafenetë dhe gjithë ditën “punësohen” në politikë, ndërsa pensionistët e kanë kryefjalën e ditës qysh pa zbardhur dita e deri në orët e vona të natës. Të gjithë “përtypin” politikë por jo të gjithë ia ndiejnë shijen. Politika dihet tashmë që nuk është as profesion dhe nuk kërkon as shumë mund e as shumë mend. Ajo nuk kërkon as diplomë dhe as specializim. Ajo, nëpërmjet “specialistëve” politikanë dhe sekserëve të tyre sekserë, gazetarë etj., etj., shërben si “papunësi” për shumicën që nuk kanë me çfarë të merren dhe “punësim” për ata që e kanë biznesin e tyre.
Tërë të këqijat e këtij sistemi që kemi ndërtuar mbrapsht, si skandalet që ndodhin njëri pas tjetrit dhe që tek ne ndodhin me shumicë krimet, ngërçet etj., etj., nga politikanët shfrytëzohen me mjeshtëri si “armë” në duart e tyre për të luftuar kundërshtarin si shkaktarët kryesorë… Edhe kur nuk ndodhin skandale, nga politikanët sajohen për t’u marrë me punë.
Është shumë e lehtë të hysh në politikë, por është shumë e vështirë që këtë “biznes” ta drejtosh atje ku duhet, në atë që të të sjellë të ardhura të pallogaritshme, siç edhe i ka sjellë politikanëve tanë. Kur them që është shumë e lehtë të hysh në politikë dhe që nuk kërkon shumë mund, është fakti që nuk kërkon as diplomë shkolle, as dëshmi penaliteti, as kurse kualifikimi, as specializim, as, as…
Kur them që është e vështirë, vështirësia qëndron në atë që politikën të mos e trajtosh si një punë “pa bukë”. Të gjithë merren me politikë, por jo të gjithë janë të shkathët, që t’i futen asaj e ta kthejnë në një “burim” të pashtershëm të ardhurash. Është e vështirë që të dish ta vërtitësh e ta rregullosh me kryetarin e partisë, apo të tjerë që kanë në dorë.
Vështirësia për këtë qëndron në atë që duhet të kesh jo pak para dhe të mos tregohesh “cingun” por jepi dhe mos u kurse për kryetarin e partisë sepse ai është “guri i themelit”, ai është “strumbullari” rreth të cilit vërtiten të gjithë “satelitët”! Vetëm politika është ajo që bën paranë “të pjellë para” sepse bizneset, qofshin ato të vogla apo të mëdha, paraja nuk i qarkullon dhe mallrat i kanë mbetur stoqe! A ka dëgjuar kush deri më sot që dikush ka ikur nga politika e ka shkuar në profesionin e tij? Askush, përjashtuar ata që janë larguar nga kryetari apo kanë bërë ndonjë “zullum”!
Por nuk është kështu për ata profesionistë që janë diplomuar në specialitete të ndryshme si inxhinierë, mjekë, profesorë, veterinerë, agronomë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë, etj., etj. Të gjithë i “dorëzojnë “ diplomat dhe shkojnë në një vend pune që jo vetëm nuk duhet diplomë, por edhe paratë i marrin me grushta! Edhe me krime të jesh marrë, edhe me trafiqe, edhe me korrupsion, këto nuk merren parasysh. Në politikë, edhe këta “punësohen”! Pse? Sepse vetëm atje i ka “në dorë” të gjithë, edhe qytetarët, edhe biznesmenët, edhe pasuritë e tyre e gjithçka, do të kalojë nëpër atë “sitë”! Atje është e ardhmja, atje janë milionat, atje është jeta, atje.
Ka edhe një vështirësi tjetër, ajo e cila kërkon të jesh mashtrues, të jesh gënjeshtar. “Vështirësia” më e madhe e politikanëve që zotërojnë mirë “artin e të mashtruarit” është një muaj para zgjedhjeve, e cila do të bëhet një herë në çdo dy vjet, për zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme. Më pas, për ata që zgjidhen, mbaron çdo gjë. Harrojnë të gjitha premtimet që i kanë bërë elektoratit dhe i futen rrugës “pa mbarim” të akuzave, shpifjeve, ngërçeve, baltosjeve etj., etj., dhe nuk u del koha për të shkuar edhe njëherë të vetme pranë votuesve të tij.
Këto “vështirësi” nuk janë të papërballueshme, përkundrazi janë vështirësi që kalohen me shumë lehtësi. Por a e bëjnë këtë, ata që kanë një grimë “namuz”? Jo, nuk e bëjnë dot, prandaj do të vuajnë e do të enden rrugëve. Ka ardhur koha që nuk duhen dije, nuk duhen diploma, nuk duhen njerëz të ditur. Përkundrazi, o sot o kurrë, duhen njerëz që diploma nuk u hyn fare në punë. E pse atë të mos e blejnë me para?
Le të jetë ajo e të qëndrojë në ndonjë qoshe të bufesë sepse “bukë” nuk kërkon! Kush janë ata që kanë mbetur rrugëve? Rrugëve kanë mbetur njerëzit e dijes dhe librat, ose “shkruesit” dhe të “shkruarat”, ato që vlejnë, ato që i duhen shoqërisë, por…
Mjafton edhe një katërvjecar i vetëm dhe politikani deputet apo ministër i ka të siguruar të ardhurat për gjithë jetën është apo nuk është më deputet. Privilegjet vazhdojnë edhe në të ardhmen, edhe në pagë, por edhe në trajtim sepse ka qenë “ish”! Këta do të punësohen për të “ndihmuar” pagën e tyre. Këta do të trajtohen mirë, pavarësisht se nuk janë as “është” as “ish”! Kjo i mbulon të gjitha, edhe sikur të mos ketë diplomë, edhe sikur të mos ketë aftësi mjafton të jetë marrë me politikë edhe sikur të mos ketë hapur fare gojën në parlament. A i kanë prerë ndokujt rrogën që nuk ka shkuar në parlament apo që nuk e ka hapur një herë gojën e të thotë “Buall” në parlament?
Jo, jo, edhe ai që vetëm shan e shpif gjithë ditën, edhe ai që trillon e dërdëllit “kodra pas bregut” siç thotë TV Shijaku, njësoj e marrin rrogën. Po ku gjen më mirë që edhe po të mos e vrasësh fare mendjen, e të mos bësh asnjë punë dhe të kesh gjithë ato privilegje që nuk i ka asnjë biznesmen që i vete “festja” vërdallë gjithë ditën? Është një biznesmen në Devoll, një Riza Shaholli. Ai ditë e natë, bashkë me familjen e tij qëndron në punë duke i bërë një shërbim të madh më shumë se pesëqind familjeve, por edhe shtetit nëpërmjet biznesit të tij, mbledhjeve grumbullimit dhe përpunimit të bimëve medicinale.
Rizain, është e pamundur që ta takosh sepse ai është puntor si gjithë të tjerët dhe përveç urimeve që merr nga familjet që i ndihmon me të ardhurat që ai i punëson, nuk është as milioner e as miliarder. Që të bëhesh i tillë, duhet të jesh politikan i lartë, jo biznesmen që ndihmon dhjetra familje në nevojë nëpërmjet punësimit të tyre. Kohët e fundit, nëpërmjet kultivimit të çajit ka punësuar edhe dhjetra familje të tjera sidomos për kohën e verës.
E megjithatë, ai mbetet një bamirës “fukara sepse ato pak të ardhura që ka, i ka me djersën e tij e të familjes së tij. Përveç kësaj, ai duhet të mendojë edhe për shtetarët që venë e ikin dhe “kujdesen” për biznesin e tij. “Me një rrogë shteti është e pamundur të kalosh muajin”, thuhet. Kjo është e vërtetë, por ama vetëm për punonjësit e administratës, për ata punonjës që punësohen në shtet nga halli dhe jo për “VIP-at. Krerët e politikës kanë edhe sekserët, avokatët dhe gazetarët e tyre që ditë e natë “drogojnë” qytetarët me skandale të njëpasnjëshme.
Përveç asaj që po “lemerisen” njerëzit është edhe kjo një mënyrë e mirë për të larguar vëmendjen nga hallet e tjera që kanë qytetarët, që ka vendi, i cili përditë e më shumë po braktiset. Një palo gazetar paguhet dyzet e pesë milionë. Dikush do të thotë që në fund të fundit ai është një televizion privat. Dakord. Po si e lejon ky televizion të paguajë një shumë marramendëse për një të tillë “kokë të madhe” në pamje, por jo në brendësi?
Pse kjo media vizive të mos mendojë pak për ata fëmijë që luftojnë me vdekjen, që për një operacion të thjeshtë dergjen gjithë jetën të sëmurë dhe bëjnë apel për ndihmë? Disa emisione investigative, më shumë bëjnë humor me fatkeqësinë e të tjerëve se sa japin kontribut për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. I përsëritin e i stërpërsëritin disa herë kur disa familjeve në nevojë që ata “zbulojnë”, u çojnë disa pako makarona, e sheqer dhe milionat ja japin ca gazetarëve që janë bërë në ekranet e televizioneve si “burri i dytë i nënës”!
Po pse vallë, vetëm ato familje që zbulojnë kronikat televizive jetojnë në kushte të mjerueshme!? Përkundrazi, të tillë janë me mijëra. Të gjithë i mbajnë sytë nga shteti. Ta lëmë mënjanë shtetin. Shtetin nuk mund ta “tundin” dot hallexhinjtë që janë shumë, por që nuk kanë gjë në dorë. Shteti i hedh sytë tek ata që kanë shuma, tek ata që janë “themeli” i shtetit!
Shteti nuk ka për ata që jetojnë në mjerim, por ka për politikanët e tij, që ata t’i bëjë milionerë me rroga, me dieta, karburante e karta telefonike që i bëhet edhe një rrogë tjetër, dhe po t’i shtosh edhe ato që vjedhin e marrin si pa të keq nga bizneset që i lejojnë të mos paguajnë as taksa, as tatime etj., etj., kjo i bën që të kalojnë kufirin e të bëhen milionerë duke u marrë vetëm me atë që është “nëna” e tërë këtyre prapësive, politikës!