Loading...

Po ku ka si ti,o Shqiperia ime !?

Entuziazmi i jetës së re, i jetës në Shqipërinë socialiste kishte shpërthyer me hire për një botë ndryshe, për një Shqipëri të aspiruar, të ëndërruar, sado që gjysmake, e keqtrajtuar, e copëtuar dhe e kafshuar keq nga “bishat” fqinje. Ishte amaneti i të parëve për Shqipërinë e heroizmave, të imazheve të qëndresës shekullore, Shqipërinë, ( Ilirinë e Arbërinë) që nuk iu nënshtrua Romës as Bizantit, Sllavit as Turkut, Italianit as gjermanit).

Kishte gjalluar, kishte mbijetuar   Shqipëria për hir të jetës, për inat të “neronëve dhe rashjanëve”, për dhunë të “Dovletit” dhe “Shtatë kralëve të Evropës”, të cilët u munduan dhe po mundohen ta zhbëjnë për plot 20 shekuj.

Po ku ka si ti o Shqipëria ime “me kreshta të larta malore, me fusha të gjëra e lumenj të kulluar, me brinja brigje e lugina pjellore. Atje “ku lindin po toskë e gegë, si dy rreze në një dielli, si dy rrufe që shkojnë tue djegun kur zbret reja nalt prej qiellit”.

Po ku ka si ti o Shqipëri, e rrethuar me kuçedra e lubi, me djallëzi sllavo-aziatike, mes lugetërish tuaj e të huaj.

KarikatureShqiperia

Ku ka si ti, o e dashura, fatkeqja Shqipëri, “pranë detit e palarë, pranë dritës e pa parë, pranë sofrës e pangrënë”, pranë begatisë, që bishat e pamëshirshme e kanë ngrënë dhe po e hanë.

Kështu gjalloje dhe ende po gjallon, o Shqipëri!. Tani mbi trupin tënd të copëtuar t’ u kanë vërsulur edhe bijtë shkapërdarë, bijtë faqezi varrin po ta bëjnë, ashtu si dikur u munduan ta bëjnë, e ta bënë sa e sa sodomë e satanë.

Po ku ka si ti o Shqipëri jetime, as me lindje as me perëndime, e mbetur në gjysmë të rrugës, mes dy botëve lubi-gojëshqyer, që babëzitë dhe paudhësitë as i kanë ndalur as i frenojnë. Herë lindin neronë, e herë sulltanë, herë hitlerë e herë shah-Khanë. Nga çdo anë, nga shekulli në shekull, nga në çdo vit u munduan të të hanë, të të degdisin, të varrosin…

Evropa të përplasë drejt Azisë, Turqia të përplasë drejt Evropës, ndërsa fqinjët si qen të tërbuar të shqyejnë me dhëmbë, nga jugu në veri, Greqi-Mali-zi, nga verilindja e lindja Serbi-Bullgari. Kështu ke gjalluar dhe ende po gjallon ti Shqipëria jonë jetime, me bijtë shkapërdarë, që për veten e tyre, për farë e fis e akraba, munxët t’ i japin nga çdo anë, në Prishtinë, Shkup e në Tiranë anë, duke ta shitur truallin në Adriatik, në Veri, në Dukagjin, te Molla-kuqe e në Dardanë.

Askund në botë nuk ka si ti, o Arbëria ime. Fusha të gjera me lule, pyje të gjelbëruar, kreshta malore mitologjike, lumenj të kulluar, burime epike, kështjella të kujtesës së mbijetesës, bunkerë mbi tokë e nëntokë, fusha dikur të mbuluara me drithëra të bardhë, sot me hashah e marihunë.

Po ku ka si ty o Shqipëri ende e pa bërë, mes trojeve të mbetura shkret, mes djerrinave të Çamërisë, që ka mbetur vetëm emër kujtese, prej Prokupjes e përtej  Nishit, ku barbaria ka fshirë çdo gjurmë Shqipërie.

Shqipëri mes deleve e derrave, mes zogjve e lakuriqëve të natës, mes bukurisë njerëzore dhe mujsharisë shtazore, mes ligësive e fisnikërisë njerëzore. Ashtu je ngjizur Ti, Loke-madhja jonë, Shqipëri, trupin në Evropë, kokën në Azi, kokën në Azi e trupin në Ballkan dhe vazhdon të mbetesh kallkan.

Po ku ka si ti o e mjera Shqipëri, “që bijtë e tu të kanë qitë me krye në hi”, që të ndukin mishtë, nga çdo trevë, nga çdo krahinë, një nga një, të plaçkitin, të shesin bregun e artë të detit, të djegin malet me pisha të dendura, ta shesin çelikun për skrap, t’ i shëmtojnë monumentet, pllakat, obelisqet, shtatoret, t’ i burgosin çlirimtarët, t’ i ndërsejnë mercenarët, t’ i bëjnë heronj tradhtarët, mujsharët, satanët, shejtanët…

Ti o Shqipëri, që na jep emër e nder”, që na bën të ndihemi krenarë, sidomos kur gojëshqyer e barbarë të vërsulen të të hanë, e ne jemi të bashkuar me fjalë, por me troje të copëtuar e të ndarë nga Serbi e Junan, nga tiranë barbarë.

Ku ka si ti, o Shqipëria jonë, Nënëmadhja e paepur, që jeton në gjashtë pjesë të ndara, gjithnjë me shpresë se një ditë bijat e bijtë shkapërdarë do të kujtohen për ty dhe do të lidhin një besë si ajo Besa e Konstandinit, si ajo e Gjergj Elez Alisë, si Besa e Legjendarit, e Adem Jasharit, si besë-betimi i shqiptarit.

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime, copë-copë e ndarë, e rrethuar me barbarë, brenda shqiptarë trutharë, gjithnjë të përçarë, të ndarë, me trurin e shpërlarë, gjithnjë shkapërdarë, për fis e farë….

Po nuk ka si ti, jo,  o Shqipëri e pabërë… (A.Q-RKL)

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com