Loading...

Plani i amerikanëve për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës për 9 muaj, vizita e fshehtë e ish-diktatorit në Moskë dhe eleminimi i Beqir Ballukut

CIA parashikonte të rrëzonte regjimin komunist të Enver Hoxhës për 9 muaj. Gazeta ”SOT” ka siguruar një dokument të deklasifikuar së fundmi, ku tregohet plani i amerikanëve kundër regjimit. Aty parashikohej që operacioni për rrëzimin e Hoxhës të zgjaste për 9 muaj. Ndërkohë tregohet dhe për një vizitë të tij në Moskë në mënyrë të fshehtë.

10 qershor 1949
Trajnimi

Prej 1 korrikut do të nisim trajnimin e një grupi prej rreth 50 agjentë për operacione në Shqipëri. Agjentët do të jenë shqiptarë dhe do të stërviten në mënyrë të tillë që të mos tregojnë se janë trajnuar nga amerikanët apo nga britanikët. Po hasim disa vështirësi në gjetjen e vendit për kampin e stërvitjes dhe mendojnë të vendosemi në Maltë. Bashkë me kampin e stërvitjes do të krijojmë një bazë të specializuar me britanikët në Korfuz. Deri në 1 shtator ne planifikojmë të kemi nisur infiltrimet e grupeve të vogla të agjentëve të pajisur me radio-transmetues. Hyrja e tyre do të bëhet nga bregdeti ose nga kufiri grek. Misioni i tyre do të jetë krijimi i kontakteve me grupet opozitare në Shqipëri, organizimi i tyre dhe demonstrimi se është koha e duhur për nisjen e operacioneve guerile dhe për ndihmat në armë e para.

Ne besojmë se fushata e infiltrimit do të na japë deri në nëntor një ide të qartë nëse revolta e armatosur do të jetë e suksesshme apo jo. Nëse raportimet janë të favorshme, atëherë deri në pranverën e ardhshme do të kemi nisur revoltën. Ajo do të ketë si bazë forcën e vogël të emigrantëve shqiptarë por për vendime të mëtejshme duhet të presim deri në vjeshtë.

Ne parashikojmë një periudhë prej nëntë deri në 18 muaj deri në arritjen e suksesit. Ne po marrim në konsideratë gjithashtu operacione dytësore siç mund të jenë veprimet për shtypjen e ekonomisë shqiptare me anë të lëshimit të parave fallto. Kjo do të ishte një detyrë e lehtë pasi të kemi hyrë fizikisht në vend.

Së dyti, sipas informacioneve tona ndihmat ushtarake ruse për Shqipërinë vijnë me anije polake që lundrojnë nga Balltiku deri në Adriatik prandaj në të ardhmen, ne mund të ndalojmë këtë trafik. Ne kemi zgjedhur ndërkohë komandantin në terren për operacionin shqiptar dhe ai tashmë është nisur drejt Mesdheut. Kostot e operacionit nuk mund të llogariten me saktësi në këtë kohë, por pritet të jenë nga 200 000 deri në 1 milionë dollarë. Faktori kryesor këtu është kohëzgjatja e operacionit dhe masa e parave që duhet të shpenzojmë.

Por eliminimi i bazës shqiptare për guerrilasit grekë do të ishte lirë me vetëm 1000 000 dollarë. Përfaqësuesit tanë në terren na kanë udhëzuar të mbajmë kontakte të ngushta me përfaqësuesit amerikanë ushtarakë e civilë në Greqi. Ne e kuptojmë se është thelbësore të veprojmë me rrjedhshmëri dhe pa zhurmë, dhe në koordinim me ekzekutuesit e politikës së hapur amerikanë.

Në këtë operacion ne nuk kemi llogaritur përdorimin e burimeve të stabilimentit ushtarak. Por me zhvillimin e ngjarjeve mund të kërkojmë asistencë të kufizuar ajrore ose detare. Ne nuk do ta bëjmë këtë përveç kur të jemi të bindur që nuk ka kompromise të tjera dhe propozimet do të pranohen në Uashington.

Konkluzion

Në këtë operacion theksojmë se karakteristikat kryesore janë siguria dhe fleksibiliteti. Me sipërmarrjen e këtij operacioni ne nuk kemi asgjë për të humbur përveç investimeve në kohë, përpjekje dhe personel, të cilat gjithsesi mund të ndërpriten në çdo kohë nëse mendojmë se mund të kenë arritur në pikën e zvogëlimit të shpërblimit apo të kompromentimit të suksesit.

Si minimum i suksesit, ne do të kemi shkaktuar trazira në bazën shqiptare të mbështetjes së guerrilasve komunistë grekë. Nëse kemi sukses të plotë do të kemi eliminuar të gjitha grupet e imperializmit komunist dhe do i kemi dhënë Bashkimit Sovjetik një goditje të rëndë që do të jehojë përtej Perdes së Hekurt, po aq fuqishëm sa dhe herezia e Titos apo heqja e bllokadës së Berlinit.

Dhjetor 1949

Vizita e Hoxhës në Moskë

Mësohet nga burime të sigurta se kryeministri shqiptar Hoxha u kthye më 15 dhjetor në Tiranë pas një qendrimi prej një muaji në Moskë. Sipas burimeve të informuara ai ka diskutuar me udhëheqësit rusë situatën pas likuidimit të luftës civile në Greqi, e cila tashmë e lë të izoluar Shqipërinë nga satelitët e tjerë të BRSS. Hoxha shoqërohej në takim nga ministri sovjetik në Shqipëri dhe gjithashtu raportohet të ketë kërkuar rritje të ndihmës sovjetike për Shqipërinë. Ambasada amerikane në Moskë nuk mund të konfirmonte vizitën e Hoxhës në Moskë, por shtypi sovjetik raporton se zonja Hoxha ka përfaqësuar Shqipërinë në një sesion të këshillit të grave të vendeve socialiste demokratike të sapombajtur në Moskë. Është gjithashtu e mundur që megjithëse nuk është përmendur, Hoxha të ketë marrë pjesë në takimin e vendeve të Kominform në Hungari.

Ambasadori francez në Moskë nuk ishte në gjendje të konfirmonte zhurmat por vizitën e Hoxhës dhe ambasadori shqiptar në Moskë ka mohuar të ketë pasur vizitë. Ndërkohë një raport nga Londra për gazetën greke “To Vima” thoshte sa më poshtë: Një raportim i besueshëm thotë se subjekti Hoxha po negocion me jugosllavët daljen nga Kominform dhe rinisjen e miqësisë së vjetër me Titon. Një lajm nga Parisi për gazetën greke Akropolis” më 15 nëntor 1949, Kominform ka akuzuar subjektin për titizëm. Kjo akuza e çuditi atë pasi konsiderohej si i preferuari i Kremlinit.

Por indinjata ndaj Moskës është e manifestuar në Shqipëri. Subjekti, megjithëse e përçmon Titon tani nuk konsiderohet më si i preferuar. Paralajmërimet e para për të nga Moska erdhën kur iu kërkua ndihmë për përforcimin e guerrilasve komunistë të Markos në Greqi dhe u akuzua për neglizhencë dhe mendjengushtësi për herë të parë në jetën e tij. Më vonë subjekti mori një tjetër paralajmërim, kur u urdhërua të dilte para udhëheqësve të Kominform në Moskë.

Por ai nuk iu bind urdhrave të Moskës dhe pranoi ftesën e Titos për të ardhur në Jugosllavi, për të diskutuar çështje se blerje e magnezit, plumbit dhe fosforit. Disa ditë më parë subjekti u takua me Mosa Pijade, i cili kishte ardhur në Tiranë me porosi nga Tito. Në këtë takim Pijade propozoi rihapjen e kufijve Shqipëri-Jugosllavi, rinisjen e marrëdhënieve tregtare, dhe një takim Hoxha-Tito në një pikë në kufirin mes dy vendeve.

Kur Moska u informua për këto propozime, Vishinski i cili ndodhej në asemblenë e OKB në Nju Jork, u takua privatisht me përfaqësuesin jugosllav atje Kardejl, dhe ditën tjetër nisën fishekzjarrët. Një telegram u dërgua nga Moska në Tiranë ku Kremlini akuzonte subjektin si tradhtar të komunizmit dhe i kërkonte të tërhiqej menjëherë nga pozita e tij si komandant i ushtrisë së Shqipërisë dhe të zëvendësohej me dikë tjetër. Por subjekti nuk kishte dëshirë të dorëhiqej dhe me anë të përfaqësuesit tëtij iu përgjigj Moskës se gjithmonë kishte qenë besnik ndaj demokracisë së popullit dhe ishte i gatshëm të pendohej. Situata qëndron kështu dhe aktualisht.

Eliminimi i Ballukut

Më 28 dhjetor 1952 Radio-Beogradi njoftoi se me eliminimin e Beqir Ballukut, tashmë nga komiteti qendror i partisë komuniste të Shqipërisë prej kohës së luftës mbetet vetëm subjekti Enver Hoxha. Në një artikull të publikuar nga Pravda në 30 mars 1953 Hoxha akuzon fuqitë perëndimore dhe Jugosllavinë se kanë si qëllim të sulmojnë Shqipërinë dhe ta ndajnë vendin mes tyre.

Artikulli me shumë gjasa është me urdhër të Moskës dhe Hoxha mund të mos jetë autori i tij, por Pravda e ka praktikë të sajën parafabrikimin e komenteve. Aty thuhet se Bashkimi Sovjetik dhe demokracitë e tjera popullore janë miq të vërtetë të Shqipërisë, dhe kjo do të thotë se BRSS është i shqetësuar se agjentët e tij në Shqipëri mund të mos jenë të aftë të qëndrojnë në pushtet. Kjo është pjesë e intensifikimit të vigjilencës kundër armiqve të brendshëm që përmenden në artikull.

17 tetor 1951

Gjendja aktuale e operacionit

Që prej diskutimit të fundit mbi operacionin në departamentin e Shtetit më 6 shtator, kanë ndodhur ndryshimet e mëposhtme:

Infiltrimet:

10 agjentë të tjerë janë infiltruar në vend dhe bashkë me ta bëhet tre grupe operative në Shqipëri. Secili prej grupe ka një operator radio dhe për herë të parë janë bërë të mundura kontaktet me agjentët në terren. Edhe një grup i katërt i lëshuar në verë mund të jetë aktiv, por nuk kemi marrë komunikime prej tyre që prej infiltrimit.

Propaganda

Radio klandestine Zëri i Shqipërisë së Lirë ka nisur transmetimet prej 15 shtatorit 1951. Raportimet paraprake tregojnë se transmetimet po dëgjohen dhe kapja është e mirë nga aparatet shqiptare.

Lëshimi i fletushkave

Më 13 shtator Hasan Dosti, kreu i Komiteti shqiptar të emigracionit, i dërgoi një telegram komercial Enver Hoxhës ku i ofronte ndihmë shqiptarëve të varfëruar, në formë ushqimi, veshjesh dhe ilaçe, të cilat vijnë nga një grup ndërkombëtar i paanshëm. Por Hoxha nuk i dha rëndësi telegramit dhe refuzoi asistencën, prandaj 30.000 thasë me miell po përgatiten për t’u lëshuar me avion në Shqipëri para fundit të vitit. Brenda thasëve do të ketë fletushka me simbolet e organizatës shqiptare të emigracionit Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, ku do të paralajmërohet kundër njoftimeve të qeverisë shqiptare se ushqimet janë të helmuara, si dhe do të ketë tekstin e telegramit të Dostit për Hoxhën.

Lëshime të tjera mallrash për propagandë janë në fazën e planifikimit. Jemi duke testuar parashuta të vogla dhe kontenierë të posaçëm për këto lëshime. Kontenierët do të mbushen me mbajtëse metalike ku do të ketë sende të vogla si gjilpëra, pe, thika dhe sende të tjera që gjenden me vështirësi në Shqipëri. Një tjetër fazë e programit është lëshimi i gjilpërave si shenjë mbështetjeje e Komitetit ndaj popullit shqiptar. Teksti i broshurave do të ketë gjithashtu telegramin e Dostit dhe do të përsërisë vendosmërinë e Komitetit për të sjell ndihma në Shqipëri, megjithë faktin se Hoxha i refuzon ato.

Pika diskutimi

Për vazhdimin e mëtejshëm është e rëndësishme të merren garanci publike për integritetin territorial të Shqipërisë nga Greqia dhe Jugosllavia. Zyrtarët e departamentit duhet të këshillojnë kolegët britanikë për anën e tyre të operacionit, pasi në komunikimet e fundit duket se ata ritmet aktuale të operacionit do t’i ruajnë vetëm për vitin 1952.

Me mbylljen e aktiviteteve të planifikuara ne besojmë se operacioni ose duhet të reduktohet, ose të përqendrohet tërësisht në objektivin e përmbysjes së regjimit të Hoxhës. Ky subjekt do të diskutohet në takimin e radhës në Londër mes zv. kreut të CIA dhe përfaqësuesve të inteligjencës britanike SIS, që është parashikuar të mbahet më 22 tetor.

Aktualisht qëndrimi ynë është kontradiktor me atë britanik, pasi besojmë se nuk është ende koha për të programuar operacionin përtej vitit 1952, deri sa operacioni BGFIEND të ketë arritur objektivat aktuale. Ne gjithsesi kemin plan përshkallëzimin e aktiviteteve për arritjen e vendosjes së minimumit prej 50 agjentësh në Shqipëri. Ne e dimë nga eksperienca se britanikët do të bëjnë çdo vit rishikim të planeve të projektit, por pa ndryshime të konsiderueshme të objektivave.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com