Ka qenë një pamje e denjë për filma Western ajo që ndodhi sot në mes të Athinës ku persona ende të paidentifikuar qëlluan nga tre drejtime të ndryshme ndaj Manolis Karagiannis. Ky i fundit njihet si “mbreti” i jetës së natës në Athinë dhe vrasja pason atë të Vassilis Stefanakos, në lagjen Haidari disa muaj më parë.
Stefanakos u përfol edhe si shok i Alket Rizait që është duke vuajtur dënimin në një burg të sigurisë së lartë në Greqi. Për momentin nuk ka të dyshuar konkret, por policia greke dyshon se kjo vrasje ka lidhje direkte me eleminimin pas një atentati mafioz të Stefanakosit duke shtuar se tashmë ka nisur një luftë mes bosëve të krimit në Athinë për zotërimin e territorit.
Ndaj Manolis Karagiannis u qëllua nga tre drejtime të ndryshme. Në vendin e ngjarjes u gjeten 97 gëzhoja plumbash, gjë e cila të bën të paramendosh se çfarë skene e tmerrshme ishte. Pasi pa që po e qëllonin, viktima i mësuar me situata të tilla nxorri armën dhe filloi të qëllonte në drejtim të atentatorëve që erdhën nga tre drejtime të ndryshme.
Dyshohet se ai plagosi njërin prej tyre, ndërsa mori tre plumba, njëri në gjoks, tjetrin në ije dhe një tjetër në këmbë. Ai ishte i vetëdijshëm duke i kërkuar personave që gjendeshin aty pranë që të lajmëronin ambulancën, por mjekët njoftuan më vonë se kishte ndërruar jetë në spital për shkak të plumbit të marrë në gjoks, shkruan Albeu.