Loading...

Papare me djathë ,nga më të vjetrat e traditës

Quhet papare (pa para) sepse përbërësit e saj janë të thjeshtë, të paktë dhe jo të kushtueshëm, e gjenden lehtësisht në kuzhinën e çdo familjeje shqiptare.

Dikur, Paparja ka qenë një ndër gatimet më popullore të nënave dhe gjysheve, të cilat e përgatisnin atë sidomos për mëngjes.

E ngrohtë dhe fantastike në shije, Paparja edhe sot, mbetet padyshim një gatim unik i traditës së kuzhinës vendase.

Në zona të ndryshme ajo ka emërtesa të ndryshme ashtu siç edhe receta e saj mund të ndryshojë në elementët e përbërësve, disa përdorin kos ose qumësht në vend të ujit të nxehtë apo lëngut të mishit.

E megjithatë, ajo shijon mrekullisht në të gjitha mënyrat e gatuara nga amvisat.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e përgatitjes së Papares me djathë, për të rikthyer edhe njëherë traditën e dikurshme ashtu si edhe shijen e mirë të këtij gatimi të hershëm shqiptar.
Përgatitja e Papares me Djathë
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona. Përbërësit përzgjidhen bazuar në numrin e personave për të cilët do gatuani)

4-5 feta bukë

3-4 lugë gjalpë të freskët (Për një gatim më të shëndetshëm AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit)

1 gotë ujë të nxehtë ose lëng mishi

Kripë

Piper

Nenexhik

Djathë të bardhë të thërrmuar

Hudhra të shtypura (Sipas dëshirës)
Përgatitja
Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shkrijmë gjalpin ose shtojmë vajin e ullirit.

Shtojmë bukën e ndarë në copëza të vogla dhe e skuqim përreth 10 minuta duke e kaurdisur me një lugë druri.

Shtojmë kripën dhe ujin e nxehtë ose lëngun e mishit dhe vazhdojmë të kaurdisim derisa buka të thithë të gjithë lëngun.

Në fund, shtojmë djathin e thërrmuar, hudhrat e shtypura nëse i preferoni, rigonin dhe nenexhikun e grirë hollë i kaurdisim të gjitha bashkë dhe i largojmë nga zjarri.

Paparen e shërbejmë në pjata dhe sipër e spërkasim me disa pika gjalpë të shkrirë./AgroWeb.org

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com