Për një sezon turistik të sigurt, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë ndërmarrë një sërë masash deri në përfundim të verës.
Nga qyteti turistik i Durrësit, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko foli për masat e ndërmarra, ndërsa i konsideroi këto të fundit një prioritet të qeverisë. Paketa e masave sipas saj, shtrihet në tri shtylla kryesore.
“Siguria në sezonin turistik përbën një prioritet për qeverinë, për një sezon pa incidente.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash. Do të përmend tri shtylla kryesore. E para, garantimi i rendit dhe sigurisë publike në zonat e plazhit. Për këtë kemi shtuar forcat policore përgjatë vijës bregdetare, kemi shtuar zonat me hotspot, kemi lokalizuar masat për të shmangur vjedhjet etj”.
Lidhur me sigurinë rrugore, Kuko sqaroi se qarkullimi rrugor po kalon në një proces ristrukturimi, për këtë ajo tha se po punohet me sinjalistikën në zonat që paraqesin risk dhe po riparohen akset me potencial aksidentesh.
“Siguria rrugore, riorganizimi si dhe qarkullimi rrugor po kalon në një proces ristrukturimi për sezonin turistik. Po bashkëpunojmë me bashkitë për të vendosur sinjalistikën e duhur për akset që paraqesin risk si dhe riparimin e akseve rrugore që kanë potencial për aksidente”, – tha Kuko.
Më tej, ajo vuri në dukje se një tjetër pikë e rëndësishme të masave të marra lidhet edhe me menaxhimin e pikave kufitare.
“Për menaxhimin e fluksit në pikat e kalimit kufitar, kemi shtuar sportelet e pritjes së udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar si dhe kemi marrë masa për të bërë korsi të veçanta për autobuzat. Kemi përgatitur fletëpalosje në disa gjuhë të huaja, për të përgatitur turistët për numrat e urgjencës, ndihmën, numrin e policisë etj.
Një problem i viteve të kaluara ka qenë edhe ndotja akustike, që sipas zv/ministres do t’i jepet fund në këtë sezon turistik, pas masave të ndërmarra për këtë çështje.
“Policia po bashkëpunon me pushtetin vendor për respektimin e orareve të vendosura nga bashkitë, por është shumë e rëndësishme që bizneset të respektojnë oraret dhe të ndërgjegjësohen”, – shpjegoi ajo.
Në fund të fjalës së saj, Kuko tha edhe do të ketë kontroll për motorët e ujit.
“Për motorët e ujit, është rëndësishme të kemi kontroll që të evitojmë aksidentet nga përdorimi pa kriter”. Sipas zv/ministres, oficerët e policisë do të angazhohen maksimalisht në këtë sezon turistik./ATSH