Loading...

Ndërtimi i Teatrit Kombëtar, kompania fituese do të përzgjidhet përmes një procedure të veçantë. Zbardhet drafti i qeverisë

Gazeta ”SOT” ka zbardhur draftin e qeverisë për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Godina e re do të ndërtohet nga një kompani që do të zgjidhet permes një procedure të veçantë. Nga ana tjetër qeveria ka përgatitur draftin për negocimin. Për përzgjedhjen e kompanisë private që do të ndërtojë godinë e re teatrore qeveria ka menduar të ngrejë një komision negocimi, i cili kryesohet nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose përfaqësues i autorizuar prej tij dhe në përbërje të tij ka përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Kulturës, Avokaturës së Shtetit dhe Teatrit Kombëtar.

Kompetencat e Komisionit të Negocimit

Drafti parashikon që komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me partnerin privat shoqërinë “Fusha shpk”, propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projekt-kontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati kohor prej 30 ditësh nga data e ngritjes së komisionit. Komisioni i negocimit të kontratës autorizohet dhe gëzon të gjithë të drejtat për vlerësimin mbi tjetërsimin e pronave në pronësi të pushtetit qendror apo të vetëqeverisjes vendore për realizimin e këtij projekti dhe propozimin lidhur me tjetërsimin e pronës bazuar në ligj.

Kontrata dhe përmbajtja e saj

Kontrata midis Shtetit Shqiptar dhe partnerit privat reflekton termat e referencës së propozimit të paraqitur nga shoqëria “Fusha shpk” sipas këtij ligji, të cilat janë vlerësuar nga komisioni negociator dhe janë pjesë e pandashme e kontratës. Kontrata përmban kërkesat që burojnë nga Kodi Civil, si dhe parashikon ato terma që vlerësohen të përshtatshëm nga palët, të tilla si:

Përkufizime, interpretime, natyra dhe objekti i punëve që duhet të kryhen, cilësia e punimeve për ndërtimin e godinës të re të Teatrit Kombëtar;

Afatet dhe kohëzgjatjen e kontratës në lidhje me fillimin dhe përfundimin e punimeve për godinën e Re të Teatrit Kombëtar;

Pronësinë e aseteve, përcaktimin e sipërfaqeve përkatëse shtet që do të vendosen në dispozicion të partnerit privat në shkëmbim këto të përftimittë godinës së re të Teatrit Kombëtar;

Të drejtat dhe detyrimet e institucionit përgjegjës për realizimin e projektit për zhvillimin urban në zonë të qytetit të Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar;

Të drejtat dhe detyrimet e partnerit privat, shoqëria “Fusha” shpk në zhvillimin e projektit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar;

Paraqitjen e një pasqyre financiare që pasqyron garancinë ekonomike të partnerit privat dhe/ose çdodokument tjetër provues nga pala financuese, nëse ka, për garantimin e zhvillimit të projektit;

Sigurimin e kontratës të depozituar në një bankë të nivelit të dytë nga ana e partnerit privat, ose nga një kompani sigurimi që operon në Shqipëri, përpara përmbylljes së negociatave dhe pasqyrimin e kësaj të dhëne në relacionin përmbyllës;

Të drejtat e institucioneve përgjegjës pjesë e komisionit për të ndjekur dhe monitoruar procesin e ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe cilësinë e shërbimeve që duhen përmbushur nga partneri privat;

Miratimi i kushteve të kontratës Kushtet e kontratës së negociuar do të kalojnë me dhënie pëlqimi në parim nga Këshilli Bashkiak me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit dhe do të dërgohet zyrtarisht nga Bashkia Tiranë pranë ministrive pjesë të komisionit të negocimit, me qëllim dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave.

Kontrata do të nënshkruhet nga kryetari i Bashkisë Tiranë brenda afatit kohor prej 10 ditësh nga hyrja në fuqi e Vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e kontratës. Kontrata hyn në fuqi me nënshkrimin nga Kryetari i Bashkisë apo personi i autorizuar prej tij.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com