Loading...

Mesazhi i Edi Ramës për politikën shqiptare: Nuk e ndalni dot Reformën në Drejtësi, zbulon shkakun pse Ilir Meta tentoi prishjen e koalicionit

Qeveria shqiptare duket se i ka hyrë punës me themel për përmbushjen e kritereve të BE-së të vendosura pak ditë më parë në Këshillin e Europës. Ditën e djeshme Edi Rama gjatë një takimi me ambasadorët dhe stafin e Drejtorisë së Integrimit në ministrinë e Jashtme ka qenë i prerë teksa ka thënë se shumë shpejt SPAK dhe BKH do të jenë gati dhe sipas tij ky proces është i pandalshëm.

Nga ana tjetër ai tha se Reformën në Drejtësi nuk e ndal askush.

“Në çka është përcaktuar për këto 12 muaj nuk ka asgjë më shumë, sesa çka përmban programi ynë i reformave dhe plani ynë në zbatimin e reformave, sepse të jemi realistë, nuk ka thënë dhe nuk thotë as Komisioni dhe as Këshilli asgjë më shumë, sesa ne do të bënim edhe sikur, largqoftë, të dilnim nga 72 orët e ferrit pa tekst, pa datë.

Do vazhdonim të kryenim procesin e vetting-ut, me datë, pa datë. Do vazhdonim të përmbushnim detyrimet kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, qoftë SPAK-u, qoftë Byroja Kombëtare e Hetimit, me datë, pa datë. Do vazhdonim atë që bëjmë përditë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk është se këto do ndalonin, nëse do hapeshin negociatat menjëherë, apo nëse do refuzohej çelja e negociatave në harkun e 12 muajve”, deklaroi ai.

Rama “thumbon” Metën

Sipas gazetës ”SOT”, kryeministri Edi Rama “thumboi” Presidentin Ilir Meta, sa i takon reformës në drejtësi, pasi i hapi punë qeverisë. Gjatë kohës kur Partia Socialiste qeveriste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila asokohe drejtohej nga Meta, ky i fundit sipas Ramës, tentoi prishjen e koalicionit për hir të kësaj reforme. Të gjithë e mbajnë mend vitin 2016, kohë kur Ilir Meta kërcënonte hapur, herë pas herë kryeministrin Rama për reformën.

Ndërkohë që dje, shefi i qeverisë ka bërë publike këto prapaskena. “Për ne, reforma në drejtësi, unikale në të gjithë procesin e integrimit europian të të gjithë vendeve anëtare, e gjithëpranuar si një model që duhet shtrirë më tutje në të gjithë rajonin tonë, një reformë radikale me kosto jo të vogla të natyrave të ndryshme, për të cilën ne rrezikuam vetë koalicionin qeverisës”, u shpreh ai.

Thellimi i reformave

Kryeministri Rama shprehet i vendosur për të vijuar me reformat në vendin tonë, dhe thellimin e punës për përmbushjen e prioriteteve në ato drejtime që janë përcaktuar në tekstin e Këshillit të Bashkimit Europian për avancimin me negociatat. Ai theksoi se Komisioni Europian do të nisë menjëherë procesin përgatitor, në mënyrë që Shqipëria të mos humbë kohë në drejtim të procesit të integrimit në BE.

“Ka një ndryshim mes çeljes imediate të negociatave dhe çeljes së negociatave në 12 muaj, dhe kjo është e pranueshme, por ndryshimi është më formal seç duket në pamje të parë. Edhe sikur çelja e negociatave të ishte imediate, ne do të na duhej një punë përgatitore që do të merrte një kohë të caktuar, që shtrihet nga 6 në 12 muaj.

Çelja e negociatave është përcaktuar pas 12 muajsh, por Komisioni do të nisë menjëherë procesin përgatitor. Ky është mirëkuptimi më i plotë dhe më i mirëpritur nga ana jonë i të gjithë vendeve anëtare. Kjo është lejuar për të mos humbur asnjë minutë kohë. Ne do të thellojmë reformat tona në të gjithë ato drejtime që janë mirëpërcaktuar nga teksti i Këshillit”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com