Loading...

Matura Shtetërore, 560 policë në 206 shkolla të mesme të vendit

Policia e Shtetit ka angazhuar 560 efektivë në 206 shkollat e mesme të vendit për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore, që nisi sot me provimin e gjuhës së huaj.

Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Drejtues Albert Dervishaj, tha se “në rreth 206 shkolla të mesme të vendit tonë janë aktivizuar rreth 560 punonjës policie dhe 40 automjete, të cilat asistojnë rregullin, qetësinë pranë shkollave të mesme. Sigurisht menaxhimi i procesit të provimit bëhet nga administratorët e caktuar nga DAR dhe Ministria e Arsimit , punonjësit janë këtu për të garantuar veprimtari normale dhe mos cënim të këtij procesi shumë të rëndësishëm”.

Veliaj bëri të ditur se në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes ministrisë së Arsimit, ministrisë së Brendshme dhe Postës Shqiptare janë marrë një sërë masash për shoqërimin e materialeve të provimeve, si dhe sigurimin e rendit gjatë procesit të provimeve, por edhe për garantimin e rendit deri në mbylljen e plotë të procesit mësimor.

Sipas tij, janë marrë të gjitha masat dhe për ruajtjen e Agjencisë Kombëtare të Provimit dhe qendrat e kontrollit të provimeve, në të cilat ka punonjës policie me 24 orë.

“Nga ana e policisë së Shtetit janë marrë në ruajtje agjencia Kombëtare e Provimit, dhe qendrat e kontrollit të provimeve, ku ka punonjës policie me 24 orë, dhe janë rreth 18 punonjës policie në Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë Elbasan që do të garantojnë veprimtarinë normale të këtyre institucioneve”, nënvizoi ai.

Veliaj theksoi se “gjatë ditës së djeshme punonjësit e policisë në mbështetje të grupeve të drejtorive arsimore rajonale kanë shoqëruar këto grupe, kanë qenë 10 grupe shoqërimi, në 10 linja të ndryshme me rreth 20 punonjës policie dhe 10 automjete policie, që kanë mbështetur e shoqëruar të gjitha grupet e drejtorive arsimore rajonale në të gjithë vendin”./k.s/ j.p/ATSH

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com