Shtatë shqiptarë dhe një italian janë vënë në pranga në Italinë fqinje, të akuzuar si pjesë e një grupi që ka trafikuar sasi të konsiderueshme droge në provincën e Lombardisë.
Sipas mediave në Itali, bëhet me dije se operacioni nga “Guardia Di finanzia” është zhvilluar sot dhe janë arrestuar në 8 persona, ku 7 prej tyre janë shqiptarë.
Personat e venë në pranga, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije kanë qenë në gjendje të fusnin në Itali sasi të konsiderueshme droge, që trafikohej më pas me doza të vogla në tregun e Lombardisë.
Kjo është goditja e dytë që i bëhet grupit kriminal. Disa muaj më parë, shtatë persona u arrestuan dhe u sekuestruan mes të tjerash 43 kg kokainë, 243 mijë euro kesh, tre makinat e përdorura për transport droge.
Pas ‘goditjes’ së parë, efektivët vijuan me hetimet, duke përdorur përgjime ambientale dhe telefonike dhe monitorimin e personave të dyshuar. Hetimet sollën arrestimet e kësaj të enjteje.
Italiani i vetëm i vënë në pranga u arrestua në flagrancë në komunën “Jerago Con Orago” provincë në Vareze. Në makinën të cilën drejtonte, që vinte nga Holanda, u gjetën rreth 8.5 kg kokainë.
Në komunën ‘Cardano al Campo” po në Vareze, një shqiptar u arrestua në flagrancë. Atij iu gjet rreth gjysmë kg kokainë në makinën me të cilën lëvizte.
Jashtë provincës së Varezes, u arrestuan pesë persona të tjetër. Në një pikë pagese në autostradë në Melegnanom u vu në pranga një shqiptar.
Në makinën e tij u gjetën 102 kg kokainë. Në Inverigo u vunë në pranga dy vëllezër shqiptarë. Gjatë arrestimit atyre iu gjetën me vete 32 kg kokainë dhe 233.950 euro. Ndërsa në banesë iu sekuestruan 824 kg kokainë.
Në Selvazzano Dentro u arrestuan edhe dy shqiptarët e fundit, Në makinën me të cilën lëviznin të dy, u gjetën rreth 2 kg kokainë.