U zhvillua dje në Gjykatën e Vlorës seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për 3 të arrestuarit për vrasjen e biznesmenit. Amarildo Çaushi dhe Amarildo Grembi mbetën në burg, Nekid Arpai, “arrest shtëpie”
Gjykata e Vlorës zhvilloi dje seancën për vlerësimin e masës së sigurisë për tre të arrestuarit, si autorë të dyshuar të vrasjes së 30-vjeçarit, Vasil Dervishaj, mbrëmjen e 4 qershorit. Më konkretisht, gjykata dha masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy prej të arrestuarve, Amarildo Çaushaj dhe Amarildo Grembin, ndërsa për Nekid Arapin, 21-vjeçarin nga Vlora, dha masën e sigurisë “Arrest shtëpie” nën mbikëqyrjen elektronike. Seanca e djeshme e sigurisë, e drejtuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Vlorës, Elona Mihali u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa sipas informacioneve që bëhen të ditura, tre të rinjtë nuk kanë folur para togave të zeza. Sipas hetuesve, Amarildo Caushi, Amarildo Grembi dhe personi i shpallur në kërkim kanë qenë së bashku në një makinë dhe kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në ngjarje, ndërsa 21-vjeçari i ndodhur tashmë në masën e sigurisë, “Arrest në shtëpi”, i ka transportuar me makinë tre bashkëpunëtorët, por askush nuk i ka shpjeguar atij për situatën ku ndodheshin, pra sipas prokurorisë, me hetimet e deri tanishme, i riu nuk është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasje. Kur kanë kaluar rreth 5 ditë nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin bregdetar, policia ka dalë me një version zyrtar të mënyrës se si kanë vepruar të rinjtë e implikuar në konfliktin me pasojë vdekjen e biznesmenit, Dervishaj, në lagjen “Pavarësia”. Për policinë, si një ndër autorët kryesor për krimin, është Amarildo Çaushi, dorëzuar në polici vetëm pak orë pasi ishte shpallur në kërkim nga forcat blu të Vlorës. Ai akuzohet si i autori i përfshirë në vrasje, ndërkohë që është shpallur në kërkim autori tjetër, 31-vjeçari Ergest Avdiu.
Rindërtohet skema e vrasjes
Nga hetimet e deri tanishme, që konkludojnë në zbardhjen e tabulateve telefonike dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve okularë të ngjarjes, policia e Vlorës ka arritur në një version zyrtar. Sipas policisë, rezulton se para disa vitesh, Vasil Dervishaj dhe Ergest Avdiu, i shpallur në kërkim, kishin pasur një konflikt në Itali, çka dyshohet se mund të ketë qenë edhe motivi i krimit, por pavarësisht kësaj, grupi hetimor ende nuk e ka përjashtuar pistën e prishjes së pazareve të drogës. Vrasja ndodhi në lagjen “Pavarësia” të qytetit bregdetar në afërsi të dyqanit të njërit prej autorëve të dyshuar dhe i vetëdorëzuar në polici, Amarildo Çaushit. Mësohet se atë ditë Dervishaj u ka dalë me makinë përpara të dyshuarve, duke u prerë rrugën, teksa edhe ata kanë qenë në makinë tjetër. Dyshohet se ka qenë 29-vjeçari ai i cili nxori armën i pari, por pa mundur ta shkrepë, duke bërë që Ergest Avdiu të nxjerrë pistoletën që mbante me vete dhe ta vrasë.
Personazhi misterioz dhe arratisja e autorëve
Sipas dëshmitarëve të marrë në pyetje nga policia, kanë sqaruar se së bashku me biznesmenin e mbetur të vrarë, ka qenë edhe një person tjetër i paidentifikuar deri më tani. Sipas uniformave blu, Vasil Dervishaj është vrarë me një plumb në dorë dhe një në qafë, në afërsi të kokës. Pas momentit të plagosjes, personi që shoqëronte Dervishajn ka marrë kallashnikovin dhe e ka zhvendosur disa metra më tutje, ndërsa ju ka kërkuar banorëve të zonës të lajmërojnë një ambulancë dhe është larguar në këmbë. Se cilat janë arsyet se pse ky person nuk ka dashur të identifikohet, ende nuk është bërë e ditur, ndërsa dëshmitarët e kanë përshkruar atë si një djalë të ri dhe të gjatë rreth 1.90 cm. Policia sqaron se në këtë kohë Amarildo Çaushi ka tentuar të dali nga automjeti por Erges Avdiu i dha gaz automjetit dhe i zbriti dy të rinjtë në afërsi të Portit duke u thënë se përgjegjësia ishte e tij dhe se dy të rinjtë nuk kishin lidhje me ngjarjen. Dy pasagjerët kanë përshkuar më pas rrugën nga porti deri në hyrje të Lungomares dhe me pas janë ndarë.
Biznesmeni
Biznesmeni 30-vjeçar, Vasil Dervishaj, i cili humbi jetën në atentatin e ndodhur mbrëmjen 4 qershorit, më konkretisht në orën 23:10 në rrugën “Pavarësia” në qytetin e Vlorës është i martuar dhe baba i një djali të vogël, ndërsa kishte dy motra dhe një vëlla më të madh. Sipas të dhënave, Dervishaj ishte me precedentë penalë në lidhej me veprat penale të shit-blerjes së drogave, por që asnjëherë nuk ka qenë i dënuar vendim të gjykatës. Vasil Dervishaj, kishte disa biznese në qytetin e Vlorës dhe më konkretisht ishte pronar i një bar-kafeje të quajtur “Gimoka”, një loto sporti dhe një dyqani elektroshtëpiakesh/shekulli