Loading...

Librazhd, mes bukurive mahnitëse të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Për dy ditë me radhë një grup të rinjsh, që mendohet se nesër do të jenë udhërrëfyes dhe pjesë e stafit promovues, ndërmarrin një udhëtim kryq e tërthor hapësirave të Parkut Shebenik-Jabllanicë. Organizatorë të këtij aktiviteti njohës dhe eksplorimi janë dy shoqata, Egnatia dhe Qendra Eden. I bashkohemi edhe këtij grupi, natyrisht duke marrë edhe pajisjet e nevojshme me vete.

Për të shkuar deri në Parkun Kombëtar Shebenik- Jabllanicë na u desh të preknim fshatrat si: Nisja që u bë nga qyteti mrekullueshëm  i Librazhdit duke kaluar në Togëz, Zgosht, Lunik, Llangë Stëblevë,në Liqenin e bukur të Fushë Studnës deri në destinacionin e fundit  Fusha e Letmit. Në fshatin Zgosht arritëm të vizitonim një ndër xhamitë më të  vjetra të zonës, e cila zanafillën e saj e ka rreth 500 vite më parë. Ngjitur me xhaminë ka hapur kurorën një rrap me një vjetërsi 200-vjeçare, i vetmi objekt që i rezistoi sistemit komunist. Zgoshti dhe Luniku na ofroi mundësinë  të shijonim një larmirëshmëri  të florës dhe faunës.  Zgoshti dhe Luniku, thonë se ka një mijë e një burime. Pak me lart Lunikut gjendet një tjetër fshat i vogël i ndërtuar në buzë të një zalli, ku karakteristikë janë shtëpitë-kulla me çati prej rrase. Gjatë rrugëtimit gjithashtu u njohëm dhe me pemën ombrellë “Rrapi i Taksimit”, monument natyre, që gjendet në majë të një mali dhe mund të kundrohet më së miri nga të gjitha anët e horizontit.

Pasi arritëm në Fushë-Studë , ndalesa u krye me të njëjtin emër, një liqen mjaft piktoresk, ku pamja që të rrethon të krijon idenë e një ballkoni të bukur pranveror nga ku mund të kundrohet më së miri e gjithë pamja spektakolare e Liqenit, që të mbërthen e s’të lë të largohesh. Teksa hedh vështrimin në të, të duket sikur ke përballë një pikturë në të cilën treten e harmonizohen mijra ngjyra, të dukshme e të padukshme. Liqeni i Fushë-Studës është  i paimagjinueshëm.

Pas shijimit të këtyre bukurive nisemi për një ndalesë tjetër ku gjatë rrugëtimit njihemi me mjaft bimë tipike të zonës. Peizazhi piktoresk na shoqëron gjatë gjithë rrugëtimit. Ajri i pastër i ndërthurur me aromën karakteristike të luleve e cicërimat e zogjve, qyqes, gjelit të egër, bilbilave etj. të fusin në një botë tjetër, diverse nga ajo që përjetojmë çdo ditë.

Nën shoqërinë e kësaj energjie pozitive nisemi për në “Shpellen e Akullit”, ose, siç quhet ndryshe “Shpella Eremite”, ku ing. Barjam Kullolli dhe  Ornela Poçi gjatë gjithë rrugës  na shpjeguan për gjithçka që ne ishim kuriozë. Shumë pranë Shpellës së Akullt gjendet dhe fusha e Letmit, e cila është përdorur për kullotën e bagëtive dhe vitet e fundit është përdorur si vend për festën e 2 Gushtit e organizuar nga komuna Lunik. Një lëndinë disa qindra hektarë dhe me një shumëllojshmëri lulesh duke filluar nga më i rralli dhe më i bukuri, Ylli i Alpeve e duke vazhduar me të tjerë.

Pasi ndahemi nga kjo fushë, gjendemi pranë Shpellës së Akullit që daton gjatë shek II-III, në kohën e sundimit bizantin. Shpella e Akullt është përdorur kryesisht për banim, dhe ketë e tregojnë me se miri pikturat që ndodhen në të. Në Shpellën e Akullt ndeshësh me stalaktitet e stalakmitet llojë-lloj formëshe. Kjo shpellë me një thellësi dhjetëra kilometra ka nevojë edne për eksplorim. Nëse arrin të zbresësh pak më në thellësi të saj do të ndjesh ajrin e ftohtë dhe pikat e ujit, të cilat pas shkrirjes bien mbi shkëmbinj duke krijuar një si melodi të këndshme që të shoqëron gjatë gjithë qëndrimit në të. Impresioni dhe dëshira të bën të mos ndahesh prej saj, por koherenca kohore nuk na lejon të qëndrojmë më shumë.

Nisemi përsëri andej nga erdhëm duke mbajtur me vete këto mbresa të paharrueshme,që rrallëkush mund t’i prekë. Nuk gjejmë fjalë të falënderojmë drejtuesit e projektit që na dhanë këtë mundësi. Ishim të parët që ndenjëm kaq gjatë dhe udhëtuam kaq shumë në këto mrekulli. Një guidë e tillë është ndër të rrallat që organizohet në këtë mënyrë. Ndoshta për këtë rrugëtimi quhej “Ambasadorët e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë”.

Projekt trajnues i Shoqatës Egnatia dhe Qendrës Eden

Shoqata Egnatia në bashkëpunim me Qendrës Eden, në kuadër të projektit “Ambasadorët e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë”, organizuan para disa ditësh një rrugëtim trajnues me të rinj të zonës, ku veç anës teorike dhe vënies në zbatim të njohurive të marra, u shijuan më nga afër këto bukuri. Sipas informacionit që na jep drejtuesi i Shoqatës Egnatia, zoti Agim Blloshmi, rrugëtimi pati si synim trajnimin dyditor, ku u përfshinë të rinj të zonës ku do të në zhvillohet projekti, të cilët u ushtruan se si të jenë udhërrëfyes të një guide natyrore në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Programi i trajnimit u zhvillua sipas eksperiencës holandeze të Qendrës Eden me programin e saj të përshtatur në kontekstin lokal. Trajnimi u përqendrua  në tre sesione kryesore: Teknikat dhe aftësitë e udhërrëfimit, hartimi i programeve përkatëse të identifikimit dhe promovimit të vlerave të parkut, udhërrëfimi natyror si profesion dhe teknikat e markimit të shtigjeve.

content-shebenik_jabllanica_1-1354527765

Guidë

Çfarë gjen në këtë park?…

Shebenik-Jabllanica shtrihet në pjesën lindore të rajonit të Librazhdit dhe përfshin malet me të njëjtin emër kufizues me Maqedoninë. Parku ka shtrirje më të madhe se 40 km, në veri nga fshati Steblevë deri në jug në fshatin Rrajcë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 33.929 ha. Malet e Parkut Shebenik – Jabllanicë dominohen nga thepisjet e theksuara dhe variojnë me lartësi nga 300 m deri në 2.262 (Maja Rreshpes-Shebenik).

Po çfarë ofron parku, veç natyrës së bukur?

Popullsia

Në territorin e parkut përfshihen gjashtë Komuna: Stebleva, Luniku, Qendra, Hotolishti, Qukësi dhe Rrajca, gjithsej 12 fshatra si Borovë, Steblevë, Llangë, Zgosht, Letem, Kosharisht, Qarrishtë, Gizavesh, Dorëz, Skroskë (Peshtan), Rrajcë-Skenderbej dhe Rrajcë-Bardhaj. Por ndikimi parkut shtrihet më gjerë edhe në fshatrat Lunik, Librazhd Katund, Dragostunjë, Hotolisht, Buzgarë, Vulçan, Vehçan,  Qukës-Shkumbin, Rrajcë Sutaj etj.

Ujërat

Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vegjël me bukuri madhështore, të cilët ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit. Janë gjithashtu dy lumenj që rrjedhin përmes zonës së Parkut me një gjatësi prej 22 km, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës qe bashkohet me lumin Shkumbin.

Klima

Klima në shumicën e parkut bie në kategorinë e klimës mesdhetare, me temperatura mesatare vjetore ndërmjet 7 ° C dhe 10 ° C. Reshjet mesatare vjetore janë midis 1.300 mm dhe 1.800 mm.

Flora

Parku ka drurë ahu, pishë e zezë, bredh, lis, mështekna, arneni, bush, ajdes, panjë, shelg, lajthi, shkozë, mëllezë, vidh, vodhëz të egër, qershi të egër, boronicë, gorricë, dardha të egër, trëndafil të egër, çaji i mali, sanza dhe më i rralli, endemiku ylli i alpeve.

Fauna

Speciet kryesore të faunës janë: ariu i murrmë, ujku, vjedulla, dhelpra, ketri, nusja e lalës, shqiponja, skifteri. Më të rrallë janë: zardafi, derri i egër, kaprolli, dhia e egër, rrëqebulli, gjeli i egër, trofta e malit.

Veprimtari  kulturore e sportive

Në këtë zonë, komuniteti organizon mjaft aktivitete social-kulturore tradicionale, të cilat janë e vetmja frymëmarrje e këtij komuniteti. Festat kryesore që zhvillohen në këtë zonë janë: Festa“Dorëz”, festë mjaft e madhe, me aktivitete kulturore tradicionale në terren natyror. Po ashtu, festa e Shëngjergjit në Stëblevë, e Qarrishtës, e Rrajces, e Lunikut, etj.

Parku, kaq pranë dhe kaq larg!…

Ndër parqet kombëtaret shqiptare, Parku Shebenik-Jabllanicë njihet si një nga më të mëdhenjtë, më të bukurit dhe më mbresëlënësit në vend. Ky park, gati i virgjër, ka një inventar të pasur të të gjitha llojeve të drurëve dhe shkurreve pyjore, bimë barishtore dhe lule të rralla; një faun të pasur me llojë-lloj kafshësh e shpendësh të egra; ka maja, sheshe alpinë, liqene, burime të ftohtë dhe plot çudira të tjera për marshime, ekskursione, veprimtari sportive, mundësi për aktivitete shkencore etj. Të gjitha këto që thamë më sipër përbëjnë potenciale të larta eko-turistike, por që fatkeqësisht deri më sot janë shfrytëzuar pak ose aspak, për shkak të politikave dhe interesave të të çastit, indiferente, që gjoja luftojnë për “bukën e gojës” dhe turizmin e quajnë një luks që ende nuk i ka ardhur koha!… Është kjo arsyeja që bukuritë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë nuk njihen, por edhe nuk janë

veshje tradicionalepromovuar aq sa duhet.

E, megjithatë, në mënyrë natyrore dhe spontane, vitet e fundit parku ka marrë jetë në zhvillimin e turizmit malor. Në të po vijnë për herë e më shumë njerëz dhe po shihet një interes jo i vogël, por krahasuar me zonat simotra të Alpeve të Veriut, ende ka nevojë për investime në infrastrukturë, sinjalistikë, informim dhe ndërgjegjësim të banorëve, së pari, për ruajtjen e potencialeve natyrore, e më pas në zhvillimin e metodës së duhur të komunikimit dhe shërbimit tek vizitorët. Të gjitha këto krijojnë mundësi për t’i dhënë jetë formave ekzistuese juvenile të ekoturizmit, gjithashtu edhe formave të reja të tij.

Turizmi në këtë zonë akoma është në fazat e para të zhvillimit. Vizitorët janë të pakët dhe të vetëorganizuar. Kjo kur zona e parkut, përveç vlerave turistike ka edhe pasuri kulturore e tradita të hershme. Ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët, studiuesit, etj. Përmendin psh, Fshatin Llangë me shtëpi karakteristike me mure guri, trekatëshe, shumëvjeçare; Kishën e Koshorishtit, ndërtuar në një shpellë në shek. II para erës sonë; liqenet karstike Shebenik, liqenin e Fushë Studnes, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut, e shume të tjera.

SAM_2285

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com