Loading...

Lajm i mirë për Shqipërinë, ministrat e BE-së pro hapjes së negociatave

Sipas dokumentit zyrtar të Brukselit që ka siguruar Top Channel parashikohet që Këshilli Europian të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në fund të muajit.

Nuk dihet nëse do të ketë aprovim final, ndërsa liderët e vendeve kryesore kanë pikëpamje të ndryshme për zgjerimin e Unionit tani. Por në draftin e konkluzioneve, përgatitur për takimin e 26 qershor të Ministrave të Jashtëm të BE-së, dy ditë para takimit të krerëve të shteteve, propozohet hapja e negociatave të anëtarësimit me vendin tonë.

“Duke pasur parasysh përparimin e mësipërm dhe në veçanti ecurinë në 5 prioritetet kyçe Këshilli vendos të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”, thuhet në dokument.

Por nuk parashikohet që Këshilli Europian të japë një datë, teksa shprehet se me qëllim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ai nënvizon nevojën kritike që Shqipëria të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën në drejtësi, veçanërisht përmes Vettingut dhe të prodhojë të tjera rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet; të luftojë krimin e organizuar, veçanërisht kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke mbajtur dhe thelluar momentin aktual të reformës.

“Këshilli i bën thirrje Komisionit Europian të mbikëqyrë nga afër përpjekjet për reformat e mësipërme në Shqipëri dhe do të vlerësojë përparimin në bazë të një raporti të Komisionit përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Këshilli fton Komisionin të fillojë punën e nevojshme përgatitore”, thuhet në draft.

Para këtyre draft-konkluzioneve vihen në dukje rezultatet e para të prekshme, që ka filluara të japë procesi i Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkohet krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet.

“Këto objektiva të rëndësishme do të vazhdojnë të monitorohen nga afër duke përfshirë edhe hapjen e negociatave të pranimit”.

Në draft propozimin e formuluar para pak ditësh thuhet se Këshilli i kushton një rëndësi të veçantë çështjes së azil-kërkuesve ku i kërkon Komisionit Europian të sigurohet që Shqipëria të vazhdojë angazhimin në uljen e numri të kërkesave për azil. Kërkohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe shmangia e deklaratave që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet fqinjësore.

Teksa për Shqipërinë kërkohet edhe dialog konstruktiv qeveri-opozitë, kjo nënvizohet si arritje pozitive e vitit të fundit në Maqedoni, ku kriza politike quhet e tejkaluar, dhe nxiten palët për zgjidhjen finale të çështjes së emrit. Por Maqedonia ia ka dalë edhe kësaj. Vetëm pak ditë pas hartimit të këtij raporti u firmos marrëveshja me Greqinë për emrin Maqedonia e Veriut, duke i dhënë më vlerë propozimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duket se vend i vetëm që mund të thotë jo është Franca, presidenti i së cilës Manuel Macron vazhdon ta quajë të parakohshëm zgjerimin.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com