Dosja “Hajdari” cilësohet si dosja e shekullit, ku pas 20 vitesh do të dalin në dritë misteret që ajo mban. Sipas gazetës “SOT” rezulton se në dosje janë zhdukur prova dhe materiale shumë të rëndësishme. Një ndër provat që mungonjë është edhe ditari i ish-ministrit të Brendshëm në vitin 1998, Perikli Teta. Aty ndodhej një letër e tij ku thuhet se gjatë hetimeve atij i është sekuestruar nga grupi hetimor një ditar, ku ai ka shkruar të gjitha ndodhitë për vrasjen e Hajdarit.
Ai ditar momentalisht nuk figuron në dosjen që ka marrë në dorë Haxhia dhe avokati i tij Bashkim Nikolla. Kjo tregon se në dosjen “Hajdari” janë futur duart dhe janë zhdukur prova. Dyshimet janë se kanë qenë personalitete të politikës së asaj kohe që kanë ndërhyrë, në mënyrë që e vërteta e vrasjes së Hajdarit të mos dalë në dritë.
Por gazeta “SOT” ka mësuar se ish-truproja e Sali Berishës përmes avokatit të tij do të kërokjë sqarimin e kësaj gjëje ku nuk përjashtohet mundësia të kërkohet edhe një hetim mbi zhdukjen e këtyre të dhënave.
Aty tregohet se si është ndërhyrë në dosje dhe se çfarë realisht ka ndodhur me procesin hetimor. Dyshimet e Haxhisë janë se gjithçka ka qenë fasadë dhe autorët e vërtetë nuk janë hetuar. Ajo që e tregon këtë është se 21 përfaqësues të PD refuzuan dëshminë. Kjo do të thotë se dosja e vrasjes së Hajdarit do të tronditë dhe një herë opinionin publik dhe politikën shqiptare.
Hapja e dosjes
Izet Haxhia është sulmuar fortë ditët e fundit. Sali Berisha dhe djali i tij kanë lëshuar një sërë kritikash. Ish-kryeministri akuzoi Haxhinë se po paguhet nga Rama. Gazeta foli me avokatin e tij, zotin Bashkim Nikolla dhe mikun e tij Romeo Kara, të cilët shpjeguan detajet e ekstradimit të Haxhisë. Ashtu siç paraqitet dhe në kërkesën e avokatit, dorëzuar pranë gjykatës, ka qenë qeveria “Berisha” ajo që ka dhënë garanci për ekstradimin e Izet Haxhisë.
Janë dy shkresa të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Jashtme, të cilat garantonin Turqinë dhe Gjykatën e Strasburgut se atij i lind e drejta për rigjykim. Pas vendimit që dha gjykata, avokati i Haxhisë do i drejtohet Apelit ku do e apelojë vendimin e Shkallës së Parë, duke kërkuar liri për klientin e tij, me argumentin se ai nuk është autori i ngjarjes.
Por duket se përballë do të kemi një betejë shumë të fortë, duke marrë shkas dhe se kjo dosje mund të tronditë politikën shqiptare. Interesant është fakti se nga dita në ditë reforma në drejtësi po jep rezultate dhe nëse ngrihen organet e reja të drejtësisë, rriten më shumë shanset që dosja e vrasjes së Hajdarit të zbardhet një herë e mirë.