Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për rigjykimin e Izet Haxhisë në lidhje me dosjen ‘’Hajdari’, kjo çështje rrezikon të tronditë opinionin publik. Sipas gazetës ‘’SOT’’ ajo që mund të shkaktojë debat është dëshmia e Zenel Nezës, truprojës së Azem Hajdarit, i cili në momentin e atentatit shoqërohej nga dy rojet e tij; Zenel Neza dhe Besim Çera.
Në disa pamje filmike të bëra publike shihet se si Berisha komunikon shumë afër me të privatisht, ndërsa në një moment të dytë Berisha shfaqet në shoqërinë e një botuesi të njohur, i cili mban në dorë një diktofon dhe ka regjistruar fjalët e shkëmbyera mes tyre.
Por misteri është se ku është regjistrimi i bisedës së tij me Berishën dhe pse ky i fundit refuzoi dëshminë në gjykatë? Kjo është një prej çështjeve që pritet të zbardhet me rigjykimin e Izet Haxhisë. Po ashtu ”SOT” ka mësuar se ish-truproja i Berishës është vënë në lëvizje për të mësuar detaje nga ky regjistrim, pasi ka informacione se kanë mbetur gjurmë nga deklarata e Nezës.
Po ashtu, nëse Sali Berisha thirret për të dëshmuar, një ndër çështjet që ai pritet të pyetet është pikërisht biseda që pati me Nezën. Ky i fundit në atë kohë sapo doli nga operacioni dhe duke qenë jo shumë i vetëdijshëm ka dyshime se ka treguar detaje nga atentati. Por pyetja që shtrohet është se përse nuk u kërkua kurrë si provë regjistrimi që u bë në takimin Berisha-Neza?
Misteret e vrasjes së Hajdarit
Prej disa ditësh ”SOT” ka zbardhur detaje nga misteret që përmban dosja prej 704 faqesh e vrasje së Azem Hajdarit. E para është se ditari i Perikli Tetës mungon. Në dosje ekziston një procesverbal ku thuhet se ish-ministrit të Brendshëm i është sekuestruar një ditar, ku ai ka mbajtur shënime për vrasjen e Hajdarit. Por sot në dosje ky ditar mungon.
Dyshimet janë se aty ka të dhëna konkrete mbi autorët e vërtetë. Një tjetër detaj është se Azem Hajdarit nuk i është bërë si duhet autopsia. Sipas informacioneve të gazetës një prej oficerëve të policisë gjyqësore ka bërë sherr me një sërë peronash mbi çështjen e autopsisë. Skandali tjetër është se ata që kanë dijeni për ngjarjen kanë refuzuar të dëshmojnë.
Bëhet fjalë për 21 zyrtarë të PD, të cilët ditën kur u ekzekutua Hajdari kanë qenë në selinë e partisë. Bëhet fjalë për emra si Sali Berisha, Genc Pollo, Jozefina Topalli, Jemin Gjana, etj. Avokati i Haxhisë do të kërkojë në gjykatë që këta emra të rithirren për të dëshmuar dhe nëse ndodh kjo, atëherë pritet të dalin në dritë fakte interesante për ekzekutimin e ish-deputetit demokrat./Pamfleti