Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot të ndërpresë procesin e rivlerësimit për ish Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
“Me shumicë votash vendosi: ndryshimin e vendimit: ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën. Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror apo anëtar i KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh”, thuhet në vendim.
Në dy seancat e kaluara ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk mori pjesë në seancë dhe u përfaqësua nga avokati Sokol Hazizaj, i cili tha se klientit të tij i kishte mbaruar mandati i kryeprokurorit, ndërsa shtoi faktin se nëse ai jep dorëheqje nga sistemi i drejtësisë, rivlerësimi ndërpritet.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa tha se Adriatik Llalla si magjistrat nuk ka ndjekur procedurën ligjore të dorëheqjes. Sipas tij, megjithëse Llalla ka lënë detyrën në dhjetorin e vitit të kaluar, ai nuk është larguar si magjistrat dhe si i tillë duhet të kalojë në filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës.
“Llalla e gëzon ende statusin e magjistratit për shkak se është ish- kryeprokuror. Ai nuk e ka dhënë dorëheqjen në formën e kërkuar”- tha Ballhysa.
Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.
Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.
Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.
Por KPA e ka rrëzuar sërish, duke e shpëtuar ish kryeprokurorin Adriatik Llalla.