Koculi është një fshat në rrethin e Vlores të Shqiperise.
Koculi është një nga fshatrat më të vjetër dhe historikë të krahinës së Labërisë. Një vendbanim i hershëm Ilir, në Kocul janë gjetur objekte të ndryshme arkeologjike të cilat ndodhen ne Muzeun Etnografik në Vlorë dhe Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Këto objekte i përkasin periudhës së hershme të Epokës së Gurit.
Koculi ndodhet midis dy fortifikimeve të vjetra romake; Kalasë së Treblovës dhe Qytezës në Rexhepaj. Koculi i vjetër gjendet në “Qafën e Mures” dhe ka qenë një qytezë tregëtare për zonën. Duket se Koculi ka qenë vazhdimisht i banuar. Gjatë perandorisë otomane Koculi ishte një qendër e rëndësishme tregtare për zonën dhe quhej nga zona e Labërisë si Stambolli i Vogël.
Sipas historisë së fshatit në Kocul familjet e vjetra kane qenë Gjatajt, Idrizajt, Pashajt, dhe Malajt. Gjatajt janë familja e Osmën Haxhiut e cila më vonë u shpërngul në Armen. Fiset e Pashajve dhe Malajve rrjedhin nga një trung familjar dhe u përkasin dy vëllezërve Pasho (Pashaj) dhe Malo (Malaj).
Qazim Kociu ose Qazim Koculi sic njihet më gjerë i përket fisit të Malajve.
Fisi i Pashajve ndahet në 4 degë: Zagolli (ose Pashajt e sotëm), Shaska (nga rrjedh fisi Shaska), Aliu (nga pasardhësit e ti cilit ka edhe me mbiemër Shaska edhe Pashaj), dhe Nuredini i cili ka qenë kajmekam i Turqisë në Egjipt dhe nuk ka lënë pasardhës.
Në vitin 1903 familja Shaska mbaroi në Kocul ndërtimin e shtëpisë së tyre e cila sipas documentave të asaj kohe ishte shtëpia më e madhe e Shqipërisë së Jugut. Ndërtimi i kësaj shtëpie zgjati 28 vjet dhe gjithë guri i shtëpisë u transportua nga 100 mushka prej Drashovicës.
Koculi ishte nga fshatrat që mbështetën fuqimisht pavarsinë e Shqipërisë dhe në vitet e para të pavarsisë Duro Shaska ishte komandanti kryesor në luftën kundra rebelëve të Haxhi Qamilit.
Në komision e Luftës së Vlorës, kishte 3 koculas nga 12 anëtarët e komisionit. Këta ishin Duro Shaska, Qazim Kociu (Koculi), dhe Osmën Haxhiu (me origjinë nga familja Gjata nga Koculi).
Ne vitin 1924, pas vdekjes së Duro Shaskës, i vëllai Hate Shaska në kujtim të vëllait, ndërtoi me fondet e tij Xhaminë e Koculit e cila ishte një ndërtesë mjaft impresionuese. U prish në vitin 1982.
Koculi ka pasur personazhe mjaft të spikatur në historinë e Shqipërisë. Me një bukuri të rrallë, pronat e Koculit fillonin nga Trubulli në bregun e Vjosës (kufi me Rromësin dhe Karbunarin) deri në Kropisht (duke përfshirë Gërnecin dhe Vllahinën), dhe vazhdonin deri në kufi me Vezhdanishtin dhe Peshkopinë. Fshati ka pasur marrëdhënie nëpërmjet krushqive me zonën e Kurveleshit, me Mallakastrën, dhe me zonën e Tepelenës.
Bijtë e bijat e Koculit sot janë të shpërndarë në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe të botës. Ata ndihen krenarë për historinë e tyre të lashtë dhe kontributin që të parët e tyre kanë dhënë për Shqipërinë.