Kanionet e Osumit janë shndërruar tashmë, në një destinacion turistik gjithmonë e më i pëlqyer për aventurierët e sporteve të “adrenalinës”. Këtë fundjavë, përveç atyre që ushtrojnë sportin rafting, të ngjitjeve shkëmbore, hedhjeve nga lartësitë ujore, turistëve që vijnë me familjet e tyre, Kanionet kanë pritur edhe grupe të organizuara.
Kështu, këtë javë drejt Beratit dhe Skraparit udhëtuan me dhjetëra autobuzë e mikrobuzë që vinin nga Tirana apo qytete të tjera të vendit, të mbushur me qytetarë që dëshironin të vinin në provë guximin e tyre në kanionet e bukur dhe të frikshëm të Osumit. Specialistët e ADZM-së Berat që ndoqën dhe shoqëruan në shtigje të rrezikshme aventurierët e sporteve ujore, thonë për ATSH-në se, një vargan prej më shumë se 25 makinash të rrugëve të ndryshme, që transportonin edhe 60 turistë francezë, u ngjitën në lartësitë e kanioneve të lumit Osum.
Sezoni turistik sapo ka filluar dhe Kanionet e Osumit me madhështinë, lashtësinë, mitologjinë dhe bukurinë e tyre janë përherë të lakmuar për t’u vizituar. /atsh