Zv.ministri i Bujqësisë Roland Kristo, deklaron se janë shpallur fitues të gjithë subjektet e peshkimit që kanë aplikuar në skemat e mbështetjes kombëtare 2018
Qeveria ka adresur mbështetje të drejtpërdrejtë për zhvillimin e sektorit të peshkimit, si sektori që gjeneron të ardhura për ekonominë e vendit, rritjen e punësimit dhe turizmit.
Zv.ministri i Bujqësisë Roland Kristo tha të martën, gjatë turit të llogaridhënies në qytetin e Durrësit se, qeveria ka hequr tvsh-në për anijet e peshkimit dhe ka miratur hapësirat për ndërtimin e kantiereve të reja të peshkimit që i japin një frymëmarrje të re këtij sektori.
“Sot ne kemi shprehje interesi për ndërtimin e kantiereve të reja të peshkimit në portet e Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës. Ndërsa mbështetja përmes skemave kombëtare i jep subjekteve të peshkimit 20 lekë/kg për një sasi prej 2 mijë tonë peshk”.
Kristo, informoj se janë shpalluar fitues të gjithë subjektet e peshkimit që kanë aplikuar në skemat e mbështetjes kombëtare, prej të cilave 4 janë nga Durrësi.
Vetëm nga kjo mbështetje parashikohet të rritet prodhimi i peshkut të zënë dhe njëherazi të rritet me 250 numri i të punësuarve në sektorin e industrisë së përpunimit të peshkut, tha Kristo.
Gjithashtu, vijoi ai, një nga politikat ku jemi fokusuar është dhe ndërtimi i merkatove të tregtimit të peshkut. “Ne do të hapim nesër procedurat për merkaton e Shëngjinit, që do t’i shërbejë fomalizimit të këtij tregu dhe zhvillimit të sektorit”, – theksoi Kristo.
Numri dy i dikasterit të Bujqësisë informoi se shumë shpejt lejet e peshkimit do të bëhen 20-vjeçare dhe në të ardhmen e afërt për to do të aplikohet on line. Ndërkohë që aktualisht e kemi reduktuar në 0 dokumenta aplikimin për leje peshkimi nga 20 dokumenta që kanë qenë më parë, tha ai./atsh