Loading...

I mori jetën ish- i dashuri, çfarë i rrëfeu Xhuljeta pak kohë më parë psikologes: Xhaferi më tha do vi me ty

Mesditën e 23 majit, Xhuljeta Çuni, ngjiti shkallët e prokurorisë së Tiranës. Ishte shkëputur për pak nga librat dhe “ethet” e provimeve të maturës…. Në katin e gjashtë të institucionit e priste psikologia, një grua afër të 45-ve.

Vajza u ul qetësisht përballë saj. U rrëfye për afro 90 minuta, duke treguar gjithçka rreth jetës së saj dhe marrëdhënies me Xhafer Matën, njeriut që i mori jetën mëngjesit 8 qershorit në zonën e “Don Boskos”. “Me Xhaferin u njoha para një viti. Ai kishte miqësi me kushërinjtë e mi. E respektoja, sepse jetonim në të njëjtën lagje”,- i tha vajza psikologes

Ajo mohoi të kishte pasur një marrëdhënie intime me të (pas vrasjes burimet thanë se të rinjtë kishin pasur një marrëdhënie mes tyre por Xhuljeta kishte kërkuar ti jepte fund).

“Xhaferi më akuzon se kam përfituar financiarisht prej tij. Më kërkon t’i kthej 1500 paund”,- vazhdoi më tej e reja.

A ndihesh e frikësuar për jetën? Të ka dhunuar ndonjëherë?, e pyet psikologia. “Jo, s’kam frikë për veten” – u përgjigj vajza,- Më shumë kam merakun e familjes. Shqetësohem se mund ta marrë vesh babai. Ai është emigrant. Sa për mua Xhaferi më premtoi në polici se nuk do të më shqetësonte”.

“Përse shkove në polici Xhuljeta?”-vazhdon qetësisht psikologia. ”Sepse doja ta trembja Xhaferrin. Më ndali në rrugë. I thashë do të denoncoj. Më tha bëje denoncimin. Do vij dhe unë me ty. Në korridorin e komisariatit fola prapë më të dhe i thashë jam e gatshme të mos bëj denoncim. Vazhdoje atë që ke nisur. Unë nuk të bezdis më. Pas kësaj u larguam”. Rrëfimi i vajzës është pjesë e dosjes hetimore, që prokuroria kishte çelur ndaj Xhafer Matës, për akuzën e përndjekjes.

Policia, i dëgjoi versionet e Xhuljeta Çunit dhe 31-vjeçarit të divorcuar, baba i një fëmije. Por nuk bëri asgjë për t’i ardhur në ndihmë të resë. Oficerët nuk bënë as verefikimin më të vogël, për Xhuljetën dhe Xhaferin. As edhe një oficer nuk denjoi të klikonte mbi profilin e 31-vjecarit, se me gjasë aty do të mund të kuptonte shumë; që ai ishte një djalë në depresion, një “ujk i vetmuar”, që shkruante poezi për nënën e klithte për dashurinë e humbur, teksa endej kodrave të Liqenit Artificial.

Specialisti i zonës nuk shkoi të trokiste në derën e shtëpisë së tij, për të kuptuar më mirë, se çfarë e lidhte atë me te renë, përse ata të dy mbërritën në komisariat.

Askush nuk bëri një verifikim, sado të vogël, që mbase mund të parandalonte krimin makabër që tronditi vendin. U mjaftuan vetëm me “pajtimin” e tyre. Më pas, komisariati përcolli shkresat në në prokurori. Në kryesekretarinë e organit të akuzës, dosja mori një numër. Emri i Xhafer Matës, u regjistrua si person nën hetim, për akuzën e përndjekjes.

Xhuljeta klithi për ndihmë, por nuk u dëgjua. Nuk mori një urdhër mbrojtje, sepse ajo nuk ishte as bashkëjetuesja dhe as bashkëshortja e Xhaferit përndjekës. Ajo u la në mëshirën e fatit, e pafuqishme, për të mbrojtur veten, se familja, shteti, shoqëria e tradhtoi.

Ditën e kobshme, Xhuljeta u nis në mëngjes herët për të dhënë provimin e Letërsisë. Xhaferi, i cili duket se nuk e përballonte dot, refuzimin e vajzës, i preu rrugën. Debatoi me të. Në fund e qëlloi me dy plumba pistolete. Pak metra më tutje ai u vetëvra.

Kronika ishte e paralajmëruar. Për fat të keq edhe këtë herë. Sikurse ndodhi edhe me Fildes Hafizin, ish-gjykatësen, që kërkoi ndihmë e mbrojtje, por zëri i saj shkoi në vesh të shurdhët. Ariela Murati u vra, rrugës për në komisariat ku kishte vendosur të denonconte ish të dashurin përndjekës. Ardjana Shaholli, nëna e 6 fëmijëve, e lodhur nga varfëria (e vetmja e punësuar në familje), nuk arriti deri tek dyert e policisë. Mesa duket e duroi dhunën e bashkëshortit, për hir të fëmijëve. Sot as Ardjana nuk jeton më.

Por të kthehemi tek Xhuljeta. Vrasja e saj, është një kambane alarmi, sepse më së pari tregon se institucionet nuk funksionojnë, se shoqëria jonë është në depresion, se për fat të keq, ngjarje te tilla, mund të shënohen sërish. Policia ishte në dijeni të konfliktit dhe e lejoi të babain e një fëmije të mitur, të thurte planin e vrasjes se 19-vjecares.

Sot, Xhuljeta dhe Xhaferi nuk jetojnë më. Familjet e tyre janë në dhimbje. Djali i mitur i 31-vjecarit do të rritet pa baba. Sot, kur mund të gjykohet më ftohtë, pyetja që shtrohet është: Kush ka dhe duhet të mbajë përgjegjësi për tragjedinë?(BW)

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com