Pasditen e sotme Ambasada Amerikane në vendin tonë ka publikuar një videomesazh të ambasadorit Donald Lu, në mbështetje të nismës #ipërkasimnjëritjetrit.
Ambasada Amerikane shkruan në facebook se kjo nismë u iniciua nga një grup intelektualësh dhe artistësh të pavarur për të nisur një dialog konstruktiv mbi të shkuarën dhe nevojën për të ditur të vërtetën.
Vetë ambasadori Lu, përmes një “Memo”, tregon një histori prekëse të titulluar “Pusi”, referuar dëshmisë së Said Borishit, arkivi i ISKK.
“Nisma #ipërkasimnjëritjetrit u iniciua nga një grup intelektualësh dhe artistësh të pavarur për të nisur një dialog konstruktiv mbi të shkuarën dhe nevojën për të ditur të vërtetën. Ndiqni Ambasadorin Lu ndërsa tregon historinë referuar dëshmisë së Said Borishit”, thuhet në faqen e Ambasadës Amerikane .
“Zemra më rreh fort, unë dhe vëllai do largohemi nga kampi, nuk më gëzon hiç largimi, nuk e di nëse do e shoh më nënën gjallë. Atë nuk e lejojnë të largohet. Te pusi aty jashtë në oborr kanë vënë një polic të ri, të mos lejojë kalamajtë të afrohen se mos bien. Deri tani në pus kanë rënë vetëm dy 14-vjeçarë. Edhe ata prisnin lirimin.
‘A don me kqyr në pus? Sa pa ardh të tjerët, se ndryshe s’bën’,tha polici.
Dua them, afrohem, ulem në gjunjë mbi pllakat, në zgrip të pusit dhe mandej zhys kokën në grykë.
Më ngjan se dikush më thërret nga errësira e pusit. Mos janë 14-vjeçarët e pusit? Më zë frika dhe bëj të ngrihem. Krahu i dhunshëm me shirit të kuq më godet vrulltas. Nuk kam kohë të bërtas. Gjysmën e trupit e kam brenda në pus dhe vetëm këmbët jashtë. Polici mi zë të dyja këmbët dhe më shtyn fort në grykë. Kokëposhtë, dalloj vezullimin e dhëmbit të tij të artë. Kështu paskan rënë edhe dy të tjerët, mendoj… Shuhem tok më britmën time në ujin e zi memec”.
https://www.facebook.com/MemoAlbania/videos/129515231265856/?t=0