“Të hapen dosjet sa më shpejt. Boll ky milet u helmua dhe u çorodit nga çorba e spiunëve. E papranueshme dhe e neveritshme që ish spiune të sigurimit, të vazhdojnë të krijojnë opinione publike. Kjo shoqëri duhet të pastrohet sa më shpejt nga toksina të tilla publike” , shkruan juristi Romeo Kara, i cili sjell në vëmendje një shkrim të City News, ku identifikohen me emra dhe nofkën “gazetarët spiunë”.
Shkrimi i plotë:
Hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit vazhdon të mbetet peng e hapave të ngadalta të politikës. Në fakt, ky bllokim procesi tregon se sa delikat është ky hap që duhet të hidhet nga shoqëria dhe politika.
Për të bërë të mundur hapjen e dosjeve dhe për të treguar se ata janë një hap përpara shoqërisë, të parët që duhet të kërkojnë publikimin e tyre janë gazetarët. Këtu nuk flas për ata që kanë lindur në vitet 80’ apo 90’, por për ata që kanë qenë pjesë e shtypit gjatë atyre viteve dhe që më pas u bënë gazetarë dhe pronarë mediash. Ata të cilët rëndomë sot mbajnë pseudonime si “çiftelia”, “këndezi”, “vinçieri”, “kapteri” etj etj.
Disa prej tyre i shohim të debatojmë si opinionistë nëpër televizione, disa të tjerë të servilosen në parti politike. Një pjesë e mirë e tyre njihen nga shoqëria por një pjesë tjetër jo. A kanë qenë spiunë të ish sigurimit Preç Zogaj, Antrea Stefani, Frrok Çupi, Mentor Nazarko, Artan Hoxha (analisti), Fahri Balliu , Irfan Hysenbelliu apo ndonjë tjetër ?
Ne mund të bëjmë njëmijë akuza dhe mund të themi pseudonime dhe legjenda urbane, por ka vetëm një të vërtetë, ajo fshihet në dosjet e ish bashkëpunëtorëve , të cilat nuk janë hapur ende.
Ka histori që flasin për 120 mijë bashkëpunëtorë dhe vetëm 12 mijë dosje të ngelura. Ka histori se shumë gazetarë janë përkujdesur për zhdukjen e tyre. Në fakt asnjë prej gazetarëve apo botuesve nuk ka hedhur një hap të vetëm për të kërkuar publikimin e dosjeve të tyre. Sot shumë janë personazhe publike, por dje ishin të zhytur në llumin e ish sigurimit të shtetit me raportime dhe sigurime.
Hapja e dosjeve duhet të fillojë nga gazetarët, pikërisht nga ata që dalin cdo ditë në TV, japin mend dhe bëjnë moral, nga ata që shkruajnë në shtypin e shkruar apo portale. Më shumë se sa një proces që të bëhet nga një institucion shtetëror, moralistët e shtypit do të bënin mirë t’i publikonin vetë dosjet. Këtu e kemi fjalën për ata që janë të pastër sepse ata që janë të zhytur në mëkatet dhe krimet e ish-sigurimit, tërheqja nga skena publike është dënimi më i pakët që mund t’ju jepet./Pamfleti