Loading...

Gruaja nxjerr burrin nga shtëpia pas 43 vitesh martesë dhe i vendos kusht për ta pranuar sërish

Një çift bashkëshortësh është bërë pjesë e seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq”. Pas 43 vitesh martesë z.Qani është nxjerrë jashtë shtëpie nga bashkëshortja e tij Fiqiretja. Shkak për këtë është bërë një pronë që ata kanë pasur dhe sot rezulton në emër të dikujt tjetër.

Znj. Fiqirete ka qenë gjatë gjithë seancës mjaft e acaruar me bashkëshortin e saj, duke fajësuar atë për problemin që ata kanë sot, duke u shprehur se ai ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj.

“E kam nxjerrë përjashta zonja Eni. Ky zotëri më ka sjellë shumë probleme. Është turp të ndahem në këtë moshë 60 vjeçe. Që në vitin `91 që mori pronën e deri në 2002 kam qenë e qetë. Pas 2002-shit e këtej ky njeri më ka sjellë dramë të madhe në familje, më ka sjellë dhunë në shtëpi”, tregoi znj.Fiqirete.

I përlotur, pothuajse që në fillim të seancës, Qaniu tha se nuk donte të vinte në këtë përballje.  “Jam katandisur sot nga gabimet dhe fajet e mia, jam flakur në rrugë. Po nuk flakem në rrugë unë se jam burri i shtëpisë!”, u shpreh ai.

“Po nuk zgjidhe problemin me mua nuk bashkohesh ti. O do bashkohem me kalamajt o do marr rrugë tjetër. Ke paguar dhe nuk e ke pronën! Ta kanë marrë pronën. Ku e ke?”, kjo në fakt ishte kërkesa kryesore që znj.Fiqirete kishte ndaj bashkëshortit të saj, kërkesë të cilën ajo e artikuloi nga fillimi e deri në fund të seancës së ndërmjetësimit.

Në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes, z. Qani tha se e ka bërë nga sikleti, por znj. Fiqirete iu kthye e agravuar: “Po pse mo, unë ta kisha fajin ty që u more me sekser? Çfarë faji të kam unë? 60 vjeç dhe të rrihem unë?”

Juristja Eni Çobani sqaroi se si qëndron problemi me pronën e familjes në fjalë.  Familja e z.Qani është pajisur me një aktmarrje toke në pronësi në vitin `93, për një sipërfaqe prej 2020 metrash katrorë nga Komisioni i Tokës Valas.

Ata kanë përfituar nga 1 dynym e gjysëm tokë dhe 400 metra të tjera “në një vend ku rrokulliset breshka”, siç e tregoi vetë z.Qani. “E pagova vreshtin, kam paguar shtëpitë. Kanë ikur miliona. Po nuk e merr njeri atë pronë se jam gjallë unë. Nuk rri si qeni unë në këtë moshë, 70 vjeç! Nuk e lëshoj atë pronë. Atje do vdes”, theksoi ai.

Bashkëshortja nga ana tjetër tha: “Ka 16 vjet që më ke mashtruar! Më ke prishur familjen ore! Zonja Eni si ta besosh këtë? Ai ka 16 vjet që përdor dhunë në familje dhe ka dëmtuar gjendjen ekonomike! Sekseri, që i ka dhënë lekët ky, fle në vilë, ndërsa unë në kasolle!”

Deri në momentin që kanë shkuar në Hipotekë për të legalizuar një banesë të re, bashkëshortët nuk ishin në dijeni të problemeve që kishin me pronën.

Eni Çobani ia bëri të qartë palëve, por edhe publikut se pas KomisioniT të Valasit të vitit `93 është mbajtur dhe një tjetër komision i vitit 2000, Komisioni i Lugajt dhe pas këtij komisioni rezulton se familja e Aqif Allkjës është pajisur me tokë nga ky komision i dytë dhe ka përfituar tokë, e cila mbivendoset me tokën e familjes së z.Qani.

Aqif Allkja ka fituar gjyqin pranë Gjykatës së Apelit Durrës në datën 06.06.2017, me pretendimin se Komisioni i Valasit nuk ka patur kompetencën për ndarjen e tokave të Lugajt.

Pyetjes së Eni Çobanit nëse z. Qani ka marrë pjesë në gjyqet që janë zhvilluar dhe nëse kanë bërë rekurs kundër këtij vendimi të marrë, iu përgjigj bashkëshortja: “Bashkim Musai merrej me ato gjëra. Ky merrej si dëgjues. Merrej mashtruesi me këtë punë!” Pra z. Qani nuk i ka ndjekur vetë seancat gjyqësore që janë zhvilluar, por ka patur një sekser që ka ndjekur të gjitha procedurat dhe ky është Bashkim Musai.

“Ky vete në gjyq për favorin e të tjerëve. Avokat s`kishte kapur. Merrej me sekser. I ke dhënë lekët pa dijeninë time. 12 milionë lekë ka harxhuar”, i tha znj.Fiqirete bashkëshortit të saj.

“Nga mirëbesimi e bëra. Më thonin edhe njerëzit, kujdes se ata do të të hanë. Jo, i thosha unë, i kam vëllezër. Ata ma bënë gropën”, iu përgjigj ai.

“Ky ishte i zoti të sillte dhunë në familje dhe jo të zgjidhte problemet”, iu drejtua  znj.Fiqirete juristes Çobani, e cila i konsideroi të pafalshme veprimet e z. Qani.

Eni Çobani u shpreh se shkaktari i këtij problemi është ndryshimi i numrit të parcelës, të cilat janë ndarë nga Komisioni i Ndarjes së Tokës Valas, në bazë të ligjit 7501.  Në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Durrës, topografi Hysni Bahiti ka thënë se për ndarjen e parcelës numër 66 në terren ka vepruar Komisioni i Ndarjes së Tokës, fshati Valas, por ky arsyetim bazohet në faktorin “kohë”.

“Faktori ‘kohë’ nuk ka asnjë lloj rëndësie se prona merret në një kohë të caktuar dhe qëndron gjithë jetën! Nuk mund të ngrihet një komision sot në vitin 2018 dhe të thotë se ai komisioni i mëparshëm nuk i paska ndarë tokat mirë. Dhe do ia marrim njërit e tia japim tjetrit. Ky zotëri është pajisur me ceritifikatë pronësie dhe për këtë mban përgjegjësi shteti. Në këto kushte, z.Qani duhej ti investohej nëpërmjet një avokati dhe të kërkonte të drejtën e tij, gjë të cilën edhe një herë rezervoj të drejtën, pasi nuk kam lexuar vendimet se zotëria nuk i ka pasur, përveç këtij aktit të ekspertimit. Atëherë unë duhet të shikoj a ka qenë i përfaqësuar ligjërisht. A është zbatuar procedimi përsa i përket dëgjimit të këtij zotërie? Se ky vërtet ka marrë pjesë, por nuk di se sa ka folur gjatë këtij gjykimi”, tha juristja Çobani.

Ndërkohë që znj. Fiqirete vazhdoi të këmbëngulte që nuk do të kthehet me bashkëshortin nëse kjo çështje nuk do të zgjidhet.

Znj. Fiqirete – Zonja Eni, po e zgjidhe problemin ti që të marrë pronën dhe shtëpinë, atëherë do të bashkohet me mua! Boll kam duruar!

Z. Qani – Pse tani do të më lësh ti mua? Në këtë moshë?

Znj. Fiqirete – Po ti e le vetë veten or burr! Ti më le mua, jo unë!

Në fund Eni Çobani  premtoi se drejtësia do të vendoset në vend, por duhet durim, duke i bërë thirrje z. Qani që të mos përdorë dhunë ndaj bashkëshortes. Ky i fundit, pavarësisht insistimit të juristes Çobani dhe moderatorit Gjebrea, nuk i kërkoi falje bashkëshortes për dhunën që i ka ushtruar padrejtësisht gjatë gjithë këtyre viteve, por tha: “Fiqiretes i them të më hedhë dorën për fajin që kam bërë, që dhe unë të mos mbetem rrugëve!”

Bashkëshortja e tij ia hodhi poshtë kërkesën, duke thënë: “Dorën do të ta jap kur të zbardhet e vërteta, se jam mes 4 rrugëve!”   Kjo seancë ndërmjetësimi u përmbyll me tentativa të kota për të bashkuar çiftin.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com