Për hapjen e negociatave, BE-ja vendosi disa kushte ku më kryesorja është ngritja e SPAK-ut , por mesa duket qeveria e ka gati terrenin për ngritjen e SPAK dhe BKH. Në bazë të dokumenteve zyrtare, terreni për të ngritur SPAK dhe BKH është gati dhe tani priten vetëm rezultatet e vetingut. Sipas ligjit, SPAK ngrihet 2 muaj pas zyrtarizimit të KLGJ dhe të KLP.
Sipas ‘’SOT’’ ngritja e SPAK kërkon 1.4 milionë euro fonde dhe se qeveria nga ana e saj ka akorduar deri më tani 1.4 miliardë lekë. SHBA ka përzgjedhur makinën e të vërtetës që do vendoset në SPAK, të cilës do i nënshtrohen gjyqtarët dhe prokurorët dhe po ashtu janë bërë gati kompjuterët dhe pajisjet hetimore që do jenë për prokurorët dhe hetuesit.
Sapo KLGJ dhe KLP të zyrtarizohen, më pas do të ngrihet një komision i posaçëm, i cili do të bëjë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të garojnë për SPAK. Kushdo që do hyjë aty duhet të heqë dorë nga privatësia pasi 24 orë do jetë në përgjim dhe po ashtu do i kontrollohet çdo llogari bankare.
Plani i qeverisë
Pavarësisht vendimit të BE, qeveria ka miratuar pak ditë më parë një strategji për luftën ndaj korrupsionit. Sipas planit të qeverisë, deri në dhjetor 2018 do të jetë përgatitur i gjithë terreni për të goditur në nivele shumë të larta. Sipas këtij plani, prokuroria, gjykatat, policia, Drejtoria e Pastrimit të Parave dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Parave do të bëhen bashkë për të luftuar korrupsionin. Qeveria ka planifikuar që deri në dhjetor të ndryshohen disa ligje, sidomos ai i pastrimit të parave, ku do të forcohen rregullat për transfertat bankare.
Po ashtu do ketë rritje të kapaciteteve dhe marrëveshje me vendet partnere që të zbulohen paratë e fshehura jashtë vendit. Gazeta ka mësuar se pranë Akademisë së Sigurisë, muajt e fundit janë trajnuar dhe ekspertë të fushave të ndryshme, si ekspertë kontabël, financierë IT, etj., të cilët po ashtu pritet që të bëhen pjesë e SPAK. Tani pritet vetëm përshpejtimi i vetingut dhe sapo të ndodhë kjo, atëherë në politikën shqiptare do të ketë reprezalje.